Jonaid Myzyri, kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK (Prokuroria e Posaçme). Mësohet se ndaj Myzyrit rëndon akuza për kryerjen e veprës penale “shkelja e barazisë në tendera publikë”.
Myzyri do të paraqitet të hënën për t’u marrë në pyetje tashmë si person i pandehur.
Herën e kaluar kur u paraqit në ambientet e SPAK, Myzyrit iu komunikua se është person nën hetim. Burime për Versus.al konfirmuan se indicia për hetimin e rolit të tij si drejtues i institucionit ka të bëjë me disa kallëzime të bëra në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Çështja ndaj tij po hetohet për një sërë procedurash tenderash, dhe shumica e tyre kanë të bëjnë me objektin që kanë patur për ndërtimin apo rikonstruksionin e rrugëve ku autoritet kontraktor ka qenë Autoriteti Rrugor Shqiptar. Burimi shprehet i rezervuar se cilat janë këto projekte dhe procedura, por theksoi se janë krijuar dyshime të arsyeshme për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Gjatë paraqitjeve të tij në SPAK, ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim apo deklaratë për mediat pavarësisht se është në krye të një institucioni të rëndësishëm publik. Versus.al







