AKTUALITET /

Efektivi i policisë hedh akuza të forta ndaj Ardian Isufit: Ai që goditi kamarierin, fshehu aksidentin ku gruaja ime mbeti e paralizuar

Sipas Llaçajt, Isufi ka qenë i përfshirë në fshehjen e një aksidenti të ndodhur katër vite më parë, ku bashkëshortja dhe fëmijët e tij u përplasën nga një automjet teksa kalonin vijat e bardha.

Shkruar nga Versus
Efektivi i policisë hedh akuza të forta ndaj Ardian Isufit: Ai që
Rexhep Llaçaj/ Pamje nga ngjarja ne Vlore ku Isufi dhunoi kamarierin

Rexhep Llaçaj, një efektiv policie me 25 vite shërbim në Vlorë, ka bërë një denoncim të fortë ndaj kolegut të tij të pezulluar, Ardian Isufi.

Isufi, i pezulluar pas ngjarjes së rëndë ku bashkë me mikun e tij, Laert Bino – person me precedentë penalë – dhunuan një kamarier 18-vjeçar për një shishe ujë, akuzohet tashmë edhe për një tjetër ngjarje të rëndë nga e kaluara.

Sipas Llaçajt, Isufi ka qenë i përfshirë në fshehjen e një aksidenti të ndodhur katër vite më parë, ku bashkëshortja dhe fëmijët e tij u përplasën nga një automjet teksa kalonin vijat e bardha.

Si pasojë, gruaja mbeti e paralizuar, ndërsa fëmijët janë ende të traumatizuar.

Ai pohon se, pavarësisht kërkesave të tij të vazhdueshme, rasti nuk është hetuar kurrë nga autoritetet.

Llaçaj ka shpjeguar se, në përpjekje për të siguruar pamjet filmike të aksidentit, i ishte thënë se “kishin ardhur policë përpara dhe i kishin fshirë”.

Më tej, denoncimi i tij rëndohet edhe më shumë kur deklaron se Ardian Isufi, në atë kohë shef i qarkullimit dhe njëkohësisht epror i tij, e transferoi nga sektori i qarkullimit në sektorin e rendit si formë presioni apo ndëshkimi.

Pjesë nga denoncimi i Rexhep Llaçaj:

Përshëndetje, quhem Rexhep Llaçaj, punonjës policie prej 25 vitesh . I bashkangjitem ngjarjes që ka ndodhur para 2-3 ditësh të dhunimit të një fëmije nga oficeri i Policisë, Ardian Isufi. Në lidhje me këtë kam pasur në 24 janar të 2021 një aksident ku Ardian Isufi ka qenë oficer ka qenë oficer i Policisë Gjyqësore. Më është aksidentuar gruaja dhe tre fëmijët te shkolla e natës, ku ngjarja nuk është zbardhur asnjëherë.

Pasi e çova nusen në Tiranë, se theu dy këmbë, kokën, brinjën, pas 20 e ca ditësh që nusja filloi reagoi, fola me punonjësit e Policisë së Vlorës dhe më thanë që ngjarja nuk është zbardhur akoma. Kam ardhur në Vlorë, bashkë me djalin tim, dhe kam shkuar në shumë vende që kishte kamera dhe më thanë që mos u mundo kot se ngjarjen e kanë fshehur se kanë ardhur disa punonjës policie dhe i kanë fshirë kamerat.

Ndërkohë, pas 10 ditësh, te Shkolla e Natës ku gruaja ime u aksidentua është vrarë dhe një qytetar tjetër me mbiemër Beqiri dhe ngjarja u zbardh edhe në trotuar edhe në rrugë e në të gjitha. Si ka mundësi që ngjarja e nuses sime u fshi, kur nusja ime ka ngelur sakate, në shtëpi dhe fëmijët shumë të traumatizuar që nga ai moment. Nuk është zbardhur asnjëherë ngjarja. Në moment që unë më mbrapa kam qenë punonjësi i Ardian Isufit, kur ai ishte shef Qarkullimi. i kam kërkuar disa herë për zbardhjen e ngjarjes dhe ai më ka larguar nga Policia e Qarkullimit më kaloi me Rendin.

Ndërkohë në kohën që është aksidentuar nusja ime ka qenë dhe një punonjës policie tjetër madhor të rrethit, dhe ngjarja nuk është zbardhur ende. Nuk e di arsyeja pse janë fshirë këto kamerat dhe nga kush janë fshirë./Versus.al

 

Poll