AKTUALITET /

Ekzekutoi me armë 50 vjeçarin, gjykata e Tiranës i fali 2 vite e 7 muaj burg kunatit të Altin Hajrit! E la në shërbim prove

Pavarësisht se u kërkuan 6 vite burg për armëmbajtje pa leje pasi u kap me armë në 2021-in, Gjoshi u lirua duke u reflektuar në vendim një sërë rrethanash lehtësuese nga problemet e tij shëndetësore, tek nevoja e përkujdesjes ndaj babait.

Shkruar nga Versus
Ekzekutoi me armë 50 vjeçarin, gjykata e Tiranës i fali 2 vite
Autori Julian Gjoshi dhe viktima Alfred Dedja (në sfond makina Benz ML e autorit)

Julian Gjoshit, autori të vrasjes së ndodhur brenda një lokali në Ndroq më 1 dhjetor, rezulton t’i jetë falur një pjesë e madhe e dënimit nga ana e gjykatës së Tiranës pasi i riu ishte arrestuar në 2021-in me armë pa leje në kryeqytet.

Kunati 26 vjeçar i të shumëkërkuarit Altin Hajri, për të cilin ky i fundit ndërhyri edhe tek ish-deputeti Jurgis Çyrbja, u arrestua më 19 janar të vitit 2021 pas një kontrolli të zakonshëm nga forcat “Shqiponja” në Tiranë, ku u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe për më tepër iu gjet edhe armë në makinë.

Gjykata e liroi të riun nga qelia më 23 dhjetor të vitit 2021. Gjyqtarja Shefkie Demiraj pranoi pretencën e prokurorit Hysni Mulaj për ta dënuar Gjoshin me 6 vite burg, por aplikoi nenin 59 të Kodit Penal që lidhet me rrethanat lehtësuese.

Kështu në vendim, bien në sy disa elemente, që prej problemit shëndetësor që kishte i pandehuri asokohe 23 vjeç deri tek nevoja e babait të tij për përkujdesje dhe pendesa e thellë e të riut.

“Gjykata në aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal ka në qendër të vëmendjes gjendjen e rëndë shëndetësore të të pandehurit  ku sipas raportit  të koronografisë datë 21.09.2020 është arritur në konkluzion Infarkt akut  miokardi pa ngritje të segmentiti ST, në pacient me stenozë kritike të trunkut komun dhe sëmundje 3- vazale të artiereve koronare. Rekomandimet  revaskularizim kirurgjikal urgjent (provuar ky fakt me raportin e koronografisë datë 21.09.2020, akte mjekësore të tjera të administruar në fashikull si raporti i shtrimit  datë 10.07.2020, raporti i  daljes  datë 24.07.2020, fletë dalje datë 24.07.2020”- thuhet në vendimin e gjykatës.

Në arsyetimin e dhënë për dënimin e Gjoshit, argumentohet se nga arma e zjarrit nuk është provuar të jetë bërë qitje nga i pandehuri. Vetë 23 vjeçari tha asokohe para gjykatës se arma nuk ishte e tij, por se e kishte gjetur në rrugë dhe kishte në plan ta dorëzonte në komisariat. Në vendimin e dhënë, nuk dilet në një përfundim nëse ky deklarim i Gjoshit ishte i saktë apo i rremë. Ndaj tij u dha vendimi për tu dënuar me shërbim prove 3 vjeçar, duke i falur 2 vite e 7 muaj burg. Kushte ishte që i pandehuri të mos kryente vepra penale dhe të mos shoqërohej me persona të caktuar të kriminalizuar.

Por pa kaluar as 12 muaj nga ky vendim, i riu ekzekuton me armë zjarri në mes të ditës dhe brenda një restoranti 50 vjeçarin Alfred Dedja me të cilin kishte njohje të mëparshme. Në deklaratën e dhënë në polici, 26 vjeçari tha se viktima e kishte ofenduar në prani të personave të tjerë. Një prej pistave të hetimit është edhe prishja e pazareve të drogës, pasi 50 vjeçari i ekzekutuar rezulton të ketë qenë i dënuar më parë në Itali për trafik droge. Versus.al

Dokumenta bashkëngjitur

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: