Pas një pauze prej më shumë se dy muajsh, 49 persona u dërguan në qendrat e saj të diskutueshme të azilit në Shqipëri.
Italia në tentativën e tretë të operacionit "Shqipëria". Këtë herë në bordin e anijes Cassiopea janë 49 shtetas të huaj të destinuar për t'u transferuar në qendra pritëse në Shëngjin e Gjadër. Emigrantët tashmë janë rrugës dhe duhet të mbërrijnë mëngjesin e së hënës në qendrën e Shëngjinit, ku do të nisin procedurat e pritjes, ndalimit dhe vlerësimit për rastet individuale. Transfertat pra rifillojnë me një procedurë mjaft të nxituar për të përfituar nga periudha e motit të mirë që ditët e fundit ka sjellë rritje të nisjeve klandestine drejt Italisë. Të premten, 469 persona zbritën në Lampedusa në 10 pika uljeje. 127 të tjerë mbërritën të shtunën pasi një njësi e rojes bregdetare dhe një tjetër Frontex shpëtuan dy varka jashtë ishullit nga Zuwara, Libi.
Nxitimi i vendosur nga qeveria në misionin e tretë në Shqipëri nuk lejoi rinovimin e projektit me IOM-in, i cili skadoi më 10 janar. Prandaj, përzgjedhja e migrantëve u krye pa operatorët e agjencisë së OKB-së, mungesë e cila mund të kishte ndikuar në numrin më të madh të njerëzve në bord. Ministria e Brendshme me anë të një njoftimi ka përhapur lajmin se në bordin e anijes për në Shqipëri ndodheshin 49 persona, duke shtuar se 53 emigrantë të tjerë “paraqitën spontanisht pasaportat e tyre për të shmangur transferimin: një rrethanë e një rëndësie të veçantë, pasi rrit mundësinë e procedimit të riatdhesimeve të atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE”.
Me rinisjen e operacionit në Shqipëri, rifilluan polemikat në vendin fqinj. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkroi një marrëveshje me homologun e saj shqiptar, Edi Rama, në nëntor 2023, për hapjen e dy qendrave në Shqipëri, të menaxhuara nga Roma, për trajtimin e rasteve të disa personave të shpëtuar nga Italia në Mesdheun qendror.
Qendrat u bënë funksionale në tetor 2024, por gjyqtarët italianë refuzuan ndalimin e dy grupeve të para të burrave të transferuar atje dhe të cilët më pas u kthyen në gadishull. Gjyqtarët kishin përmendur një vendim të fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED), e cila tani duhet të rishqyrtojë çështjen në muajin shkurt, por ndërkohë transfertat ishin ndaluar.







