AKTUALITET /

EMRAT/ Operacioni “Diving” në Sarandë: Tre të arrestuar! I riu që u hodh në det kishte armë, njëri ishte në kërkim!

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “Butrinti”, ku u ndalua një automjet luksoz tip “Porsche” me tre persona brenda.

Shkruar nga Versus
EMRAT/ Operacioni “Diving” në Sarandë: Tre të
Pamje nga operacioni Diving
 
Policia e Sarandës ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar, ku një automjet luksoz tip “Porsche Panamera” u ndalua në rrugën “Butrinti”, me tre të rinj në bord.

Njëri prej tyre u hodh në det në tentativë për t’i shpëtuar ndalimit.

Sipas njoftimit zyrtar, të tre personat janë arrestuar si rezultat i operacionit të koduar “Diving”.

I riu që tentoi arratisjen mbante me vete një armë zjarri të llojit pistoletë, ndërsa një tjetër person në automjet rezultonte i shpallur në kërkim për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje.

Të arrestuarit janë:

-Endri Doku, 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;

 

-Imer Gega, 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

 

-Ervis Cukali, 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.

Policia ka sekuestruar armën, municionin dhe mjetin luksoz si prova materiale, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

Njoftimi i policisë: 

Sarandë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, operacioni policor i koduar “Diving”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, në një automjet luksoz, njëri prej tyre tentoi të arratisej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma.

Vihen në pranga 3 shtetas, mes tyre edhe një person në kërkim për vepra të rënda penale.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 16 fishekë dhe automjeti tip “Porsche”.

Në vijim të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lidhur me një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Diving”.

Si rezultat, në lagjen nr. 1, rruga “Butrinti”, Sarandë, u ndalua për kontroll automjeti luksoz tip “Porsche”, me të cilin udhëtonin 3 shtetas. Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, shtetasi E. D., tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit, me qëllim humbjen e provave. Por falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë, me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.

Gjithashtu, nga punonjësit e Policisë Sarandë u bë e mundur, brenda një kohe shumë të shkurtër, gjetja e çantës me armën që ky shtetas tentoi të fshihte duke e hedhur në det.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:

* E. D., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;

* I. G., 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

* B. C., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.

Arma e zjarrit (pistoletë), municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme./Versus.al

Poll