Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 38-vjeçarin Spartak Cara, banues në Tiranë, i cili dyshohet se ka goditur punonjësen e OSHEE-së, R. H., 37 vjeçe, gjatë një kontrolli rutinë në lokalin e tij në rrugën “Artan Lenja”. Ngjarja ndodhi më 25 prill 2025, rreth orës 13:00, kur punonjësja e OSHEE-së kishte shkuar për të kontrolluar sahatin e dritave të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit të policisë, Cara dyshohet se ka goditur fizikisht punonjësen me sende të forta, duke e lënë të plagosur. Pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi i incidentit dhe aktualisht është shpallur në kërkim nga autoritetet. Ndërkohë, punonjësja e OSHEE-së është dërguar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka nisur hetimet për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe po punon për kapjen e autorit të dyshuar. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.








