
Situata kriminale në qytetin e Shkodrës është në ditët e saj më të zeza. Plot 4 persona janë vrarë me armë zjarri brenda 10 ditëve të fundit, ndërsa 2 të tjerë janë plagosur.
Më 28 gusht, Ndoc Maçaj kryeplaku i fshatit Abat vrau me armë zjarri Piro Prronin për shkak të një parcele në pronësi të autorit ku ishin kultivuar 80 rrënjë kanabisi. Maçaj pretendoi se viktima, kushëriri i tij e kishte kërcënuar me drapër duke i thënë se do ta vriste dhe për rrjedhojë ky i fundit e kishte qëlluar me armë zjarri.
Më 4 shtator rreth orës 22:00 të mbrëmjes, në qendër të qytetit të Shkodrës, në një lokal të lagjes “Vasil Shanto” u ekzekutua me armë zjarri 34 vjeçari Kristian Kola teksa pinte kafe. I riu nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa punonte me të atin në një firmë ndërtimi. Autorët, ishin dy persona me motor të cilët u zhdukën në një rrugicë dhe edhe sot kur kanë kaluar 4 ditë nga vrasja, policia nuk ka asnjë gjurmë rreth tyre apo rreth motivit që kishte sjellë ekzekutimin e rëndë.
Sot, më 8 shtator në nisjen e vitit të ri shkollor pikërisht në një lokal pranë bashkisë Shkodër dhe pranë shkollës “Kolë Idromeno” pati të shtëna armësh me breshëri të cilat shkaktuan 2 viktima (Armand Pali dhe Liridon Kraja) dhe dy të plagosur (Erogen Vaso alias Bajroviç dhe Meri Kaceri). Autori Ragip Gila, me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje, u arrestua nga policia pak momente pas krimit. Ndërsa të shtënat në mes të lokalit tronditën qytetarët e kryeqendrës së veriut të cilët tashmë ndihen të pasigurt nga vrasjet dhe ngjarjet e shumta kriminale që kanë përfshirë qytetin. Versus.al







