Një incident i rrezikshëm është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në Zyrih, pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, që përfundoi me rezultatin 0-0. Sipas raportimeve të mediave zvicerane dhe dëshmitarëve në vendngjarje, një i ri shqiptar ka qëlluar në ajër nëntë herë me pistoletë, gjatë festimeve në rrugë.
I riu, i cili shihet në një video që po qarkullon në rrjetin social Snapchat, mbante veshur veshje tradicionale shqiptare dhe qeleshe në kokë, teksa qëllonte me armë nën brohoritjet e miqve të tij. Ngjarja ka ndodhur pranë Bürkliplatz, në zonën e General Guisan Quai, ku dhjetëra makina me flamuj shqiptarë dhe të UÇK-së kishin bllokuar trafikun duke festuar ndeshjen.
Policia e Qytetit të Zyrihut ka konfirmuar incidentin dhe ka nisur menjëherë hetimet. Sipas zëdhënësit Michael Walker, deri më tani nuk janë raportuar lëndime, por veprimet e tilla janë të dënueshme sipas ligjit për armët e zjarrit në Zvicër dhe përbëjnë rrezik serioz për jetën.
“Të shtënat e papërshtatshme me armë zjarri janë një kërcënim real. Plumbat gjithmonë bien diku dhe mund të shkaktojnë dëme vdekjeprurëse,” – u shpreh një burim policor.
Ende nuk është sqaruar nëse arma e përdorur ishte e vërtetë apo një armë bosh, por sipas një informatori të portalit 20 Minuten, “arma duket e vërtetë dhe situata ishte tejet e rrezikshme.”
Ky incident ka ngritur shqetësime për sigurinë publike në rastet e festimeve spontane dhe për përdorimin e armëve të zjarrit në hapësira të populluara. /Versus.al







