AKTUALITET /

“Filxhan kafeje, foto dasme dhe google map”/ Nga e drejta historike për të votuar deri tek “gafat” e emigrantëve

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka publikuar disa shembuj konkretë të fotove të ngarkuara në platformën zyrtare PER, duke nxjerrë në pah situata që, përveçse të gabuara, duken edhe qesharake.

Shkruar nga Versus

“Filxhan kafeje, foto dasme dhe google map”/ Nga e drejta historike

Për herë të parë, emigrantët shqiptarë kanë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre politik në zgjedhjet e 11 majit, një e drejtë që është kërkuar prej vitesh dhe që tashmë po bëhet realitet. Megjithatë, procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë ka hasur disa sfida, ku përveç pasigurisë mbi mënyrën e aplikimit, janë vënë re edhe raste të çuditshme në dokumentacionin e dorëzuar.

Pavarësisht udhëzimeve të vazhdueshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duket se një pjesë e emigrantëve nuk kanë ndjekur siç duhet procedurat, ose kanë bërë gabime të dukshme, ndoshta edhe qëllimisht. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka publikuar disa shembuj konkretë të fotove të ngarkuara në platformën zyrtare PER, duke nxjerrë në pah situata që, përveçse të gabuara, duken edhe qesharake.

Në vend të dokumenteve të nevojshme për regjistrim, disa aplikantë kanë ngarkuar foto nga dasmat e tyre, selfie të bëra me telefon, filxhanë kafeje, tabela rrugësh, adresa lagjesh dhe madje edhe imazhe të avllive të shtëpive të tyre. Një pjesë e këtyre aplikimeve, për shkak të pasaktësisë së dokumenteve të ngarkuara, janë refuzuar nga KQZ, duke ulur numrin e emigrantëve që do të kenë mundësinë të votojnë.

Kjo situatë ka sjellë reagime të ndryshme, me disa që e shohin si mungesë serioziteti nga ana e aplikantëve, ndërsa të tjerë sugjerojnë se ndoshta procesi ka nevojë për më shumë sqarime dhe ndihmë për emigrantët që mund të mos jenë familjarizuar me procedurat teknike.

Afati për aplikim në platformën PER përfundon më 4 mars, dhe sfida kryesore mbetet sigurimi që sa më shumë emigrantë të përfundojnë regjistrimin pa probleme. Kjo është një mundësi historike për diasporën shqiptare, dhe suksesi i këtij procesi do të vendosë një precedent të rëndësishëm për të ardhmen e votimit nga jashtë. /Versus.al/

Tags:

kqz diaspore

Poll