AKTUALITET /

Fitoi mandatin me banda dhe fshehu kreun e klanit Hajri, caktohet gjyqtarja që do gjykojë ish-deputetin e PS

Shkruar nga Versus
Fitoi mandatin me banda dhe fshehu kreun e klanit Hajri, caktohet gjyqtarja
Fotomontazh: Altin Hajri (i shumëkërkuar prej 2020-ës) dhe ish-deputeti Jurgis Çyrbja

Gjykata e Posaçme hodhi këtë të mërkurë shortin elektronik për shqyrtimin e dosjes penale ndaj ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja dhe dy të pandehurve të tjerë Ahmet Masha dhe Altin Hajri.

Etleva Deda do të jetë gjyqtarja e posaçme që do të gjykojë dosjen hetimore ndaj të pandehurve të cilët u kaluan për gjykim ditën e djeshme. Çyrbja akuzohet për vepra të rënda penale si rrjedhja e informacionit secret gjatë kohës që ka qenë anëtar i komisionit të Sigurisë dhe për korrupsion në zgjedhje e përkrahje e Altin Hajrit gjatë kohës që ishte shpallur në kërkim nga policia për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në 2020-ën.

Në dosjen e zbardhur nga Versus.al muaj më parë, zbulohej sesi Hajri kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me Çyrbjan duke i kërkuar këtij të fundit të ndërhynte edhe në polici. Ish-deputeti dyshohet se informonte Lulzim Mashën për rastet kur RENEA kryente kontrolle në zona të caktuara duke sinjalizuar kriminelët që të largoheshin. 

Dosja hetimore zbulon gjithashtu se Hajri dhe lidhjet e tij kriminale kanë ndërhyrë për të bërë të mundur futjen e emrit të Çyrbjes në listat e kandidatëve për deputet të PS në 2021-in dhe më pas zgjedhjen e tij me mijëra vota. Për futjen e Çyrbjes në listën e kandidatëve, deri tani SPAK ka marrë në pyetje ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dakon, por deri më tani nuk ka asnjë detaj lidhur me këtë pjesë. Versus.al

 

Poll