AKTUALITET /

Flakët "përpinë" pallatin në Tiranë, inxhinieri tregon materialin e përdorur: I rrezikshëm, përhap zjarrin

Sipas inxhinierit, i njëjti material, shkumë poliuretani, është përdorur edhe në pallate të tjera.

Shkruar nga Versus
Flakët "përpinë" pallatin në Tiranë,
Fotomontazh: Pallati që mori flakë dhe inxhinieri Erald Kërluku

Një prej shkaqeve kryesore të shkrumbimit të pallatit gjatë pasdites të së martës, janë materialet ndërtimore të përdorura. Inxhinieri Erald Kërluku tha se materiali i përdorur për mbështjelljen e fasadës, shkuma e poliuretanit është material tepër i ndjeshëm ndaj zjarrit, gjë që ka shkaktuar përhapjen e flakëve në të gjithë fasadën e jashtme.

“Ky lloj materiali nuk lejohet, duhet të përdoret ky lloj materiali (tregon produktin tjetër). Ky material është përdorur në fasadë, është shkumë poliuretani. Ky e përhap zjarrin”- tha Inxhinieri.

Ndërsa tha se përdorimi i materialit është në shkelje të protokolleve të sigurisë, ai shtoi se i njëjti material i rrezikshëm është përdorur edhe në ndërtesa të tjera në Tiranë.

“Ky është një rast i përsëritur në të njëjtin objekt. Ky produkt që përdoret për izolimin e fasadës, teknikët flasin për fasadë të ventiluar, e cila kërkon të krijosh hapësira ajrimi midis parateve të murit.

Duke pasur parasysh që aty është një xhep ajri që krijon presion shumë të lartë, materiali që është në kontakt me këtë rrymë ajri duhet të jetë në mënyrë absolute i padjegshëm.

Produkti që është përdorur në këtë rast është produkt i papërshtatshëm për këtë qëllim. Ky produkt nuk është i duhur për fasadat, kemi arritur ta ndalojmë përdorimin e tij në disa objekte. Në Tiranë ky është përdorur edhe në ndërtesa të tjera. Kjo nuk ka lidhje me koston, ka lidhje me mosrespektimin e protokolleve dhe informacionit që ka të bëjë me kushtet e ndërtimit të një fasade të tillë. Problematika kryesore është materiali termoizolues, i cili është përdorur për veshjen e fasadës dhe kontakti i drejtpërdrejtë i ajrit me zjarrin, që ka një ndjeshmëri të madhe ndaj flakëve”- shtoi Kërluku. Versus.al

Poll