
Atentati që ndodhi ditën e djeshme në zonën e ‘Don Bosko’ la të plagosur dy persona, njëri prej të cilëve dyshohet të ishte shënjestra.
Bëhet fjalë për 45-vjeçarin Kastriot Elezi, i cili rezulton të ketë qenë edhe me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa i plagosuri tjetër Ronalo Metushi, 22-vjeç mohoi të ketë pasur ndonjë konflikt apo të ishte objektivi në këtë ngjarje.
Ky i fundit mori një plagë në këmbë, ndërsa Elezi u plagos në gjoks dhe krah.
Mirëpo 45-vjeçari nuk rezulton si një emër i panjohur për organet e drejtësisë, sidomos jashtë territorit shqiptar.
Së fundmi ai ka qenë i dënuar për prostitucion në kuadër të grupit kriminal në Itali, dënim që e ka vuajtur dhe aktualisht ishte i lirë.
Por rreth 11 vite më parë ai ka kryer një grabitje dhe arratisje nga burgu ku po vuante dënimin.
Në gusht të 2011 Elezi së bashku me një shqiptar tjetër të identifikuar si Kastriot Dushi, u arratisën në një mënyrë të jashtëzakonshme nga burgu i Austrisë, ku po vuanin dënimin për grabitje.
Mediat austriake asokohe kishin raportuar arrastisjen nga një burg me siguri të lartë, të dy shqiptarëve të cilët kishin përdour mjetet e kuzhinës për t’iu shmangur rojeve të burgut, duke u larguar kështu përmes tuneleve të ventilatorëve të kuzhinës.
Strategjia e arratisjes së tyre bëri bujë të madhe në atë kohë.
I përfshirë në këtë ngarje rezulton të ketë qenë edhe një person i tretë, i cili po priste jashtë ambienteve të burgut dy personat.
Arrestimi i tyre ishte bërë disa muaj para arratisjes, nga agjentët e Interpol Tiranës dhe Vjenës dhe po prisnin plotësimin e dokumentacionit për ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë, ku të dy ndiqeshin për veprën penale të grabitjes.
Policia e Tiranës nuk detajoi nëse ai ishte aktualisht i kërkuar apo me dënime dhe masa në mungesë.
Për sa i përket ngarjes së djeshme policia gjeti makinën e autorëve e djegur në zonën e Kamzës për të zhdukur gjurmët dhe provat, teksa nuk ka ende asnjë të arrestuar, edhe pse janë sekuestruar pamje filmike nga ngjarja. Atentatorët që besohet se ishin 3 persona, mbanin maska dhe u larguan me shpejtësi, pak pas sulmit rreth orës 15:00.
Ndërkohë që siç është raportuar edhe më herët dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndëkohë që policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes./ Versus.al








