AKTUALITET /

Fshehu në kamion 3 persona me rekorde kriminale për t'i kaluar në Itali, arrestohet shoferi në Durrës

Shkruar nga Versus

Fshehu në kamion 3 persona me rekorde kriminale për t'i kaluar

Durrës- Policia ka zbuluar një tentativë për të kaluar fshehurazi në Itali të disa personave me precedentë kriminalë. Dy prej tyre ishin shpallur në kërkim nga autoritetet italiane si pjesë e një grupi të trafikut të drogës, ndërsa tjetri ishte dënuar më parë në Itali.

Në pranga ra edhe shoferi i kamionit, 47 vjeçari K.Gj i cili dyshohet për veprën penale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe përkrahja e autorit të krimit. 47 vjeçari i kishte fshehur tre personat në kamionin e tij me qëllim për t’i futur sërish në shtetin italian.

 

Konkretisht personat e kapur në kamion:

-shtetasi R. M., 37 vjeç, banues në Lezhë, i fshehur në kamion, ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Zyra e Prokurorit Publik në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. 37-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.

-shtetasi K. D. alias K. F. alias K. P., i fshehur në kamion, ishte shpallur në kërkim kombëtar në Itali. Ky shtetas u arrestua dhe pritet lëshimi i urdhër arrestit ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për të.

-shtetasi S. D. alias K. M. i fshehur në kamion, ka qenë i dënuar më parë, me burgim, nga Gjykata e Pratos, Itali, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Për këtë shtetas nisi procedimi në gjendje të lirë. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. Versus.al

Poll