
Prej shtatorit të këtij viti, mjeka Evis Sala ka nisur punën part-time si Ministre e Shëndetësisë në kabinetin “Rama 4”. Kohën e saj fizike e ndan mes Shqipërisë dhe Italisë, ku ka ushtruar prej vitesh aktivitetin profesional.
Por, duket se ajo kishte lënë shumë punë të pambaruara në Itali, kur u thirr nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar dikasterin shumë të ndjeshëm dhe në kolaps të Shëndetësisë.
Vetëm pak ditë pasi mori detyrën, u raportua se Evis Sala u shkëput për rreth 2 javë nga Ministria e Shëndetësisë, ndoshta për të realizuar dorëzimet e punës në Fakultetin e Mjekësisë dhe Kirurgjisë “A. Gemelli”, në Romë.
Ky afat, mesa duket, nuk i ka mjaftuar. Ndaj, Evis Sala “sajon” takime në Itali, të cilat i transmeton si bashkëpunime me autoritetet e huaja për përmirësimin e gjendjes së Shëndetësisë në Shqipëri.
Takimet “e sajuara” e shndërrojnë në një personazh butaforik, siç ka ndodhur edhe së fundmi.
Pak ditë më parë, e konkretisht në 24 nëntor 2025, ministrja Sala publikoi në profilin zyrtar në rrjete sociale të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:
“Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala zhvilloi një takim me Presidentin e Aleancës Kundër Kancerit në Itali, Prof. Ruggero De Maria ku u diskutuan përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për të përmirësuar më tej parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për sëmundjet tumorale, duke përfshirë: Krijimin e Rrjetit Kombëtar Onkologjik; Ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve; Standardizimin e protokolleve të trajtimit; Zgjerimin e aksesit në trajtimet klinike inovative”.
Postimi shoqërohet edhe me foton përkatëse. Iniciativa, natyrisht, është e mirëpritur, pavarësisht se pacientët e prekur nga sëmundjet tumorale kanë nevojë për mbështetje financiare dhe sigurimin e medikamenteve, të cilat mungojnë prej shumë kohësh.
Por, “takimi” i Evis Salës me profesor Ruggeron duket se nuk ka aspak lidhje me ato që prezanton ministrja e Shëndetësisë.
Ai “takim” duket se është i sajuar, për të justifikuar udhëtimin e radhës të Salës në Itali. Ky “takim” duket se është më shumë një bisedë mes miqsh, mes kolegësh. Përse këto dyshime?
Evis Sala dhe profesor Ruggero De Maria janë pedagogë kolegë në të njëjtin Universitet. “Boldnews.al” ka konsultuar “Guidën për Studentët” (Student Guidebook) të Fakultetit të Mjekësisë dhe Kirurgjisë “A.Gemelli” në Universitetin Katolik të Zemrës së Shenjtë në Romë, ku konstaton se ata të dy janë pedagogë aty.
Gjithashtu, në një komunikim në rrjetin professional “LinkedIn”, Ruggero de Maria falenderon Evis Salën për një vlerësim që kjo e fundit i ka bërë për një punim të profesorit italian.
Pra, duket qartë që mes të dyve ka një njohje të hershme. Natyrisht, nuk është aspak keq që një ministre shqiptare të shfrytëzojë njohjet personale për të kontribuuar në rritjen e mirëqenies së sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Por, më shumë se një “takim pune”, fotoja e Evis Salës me profesorin Ruggero, e cila duhet thënë se nuk ka asnjë lidhje me zyrtaritetin, duket se është përdorur si justifikim për vizitën e radhës të Ministres së Shëndetësisë për “punët e veta të pambyllura”, në Itali.
Megjithatë, koha do ta tregojë nëse do të sjellë ndonjë produkt cilësor ky takim i Ministres Evis Sala./Boldnews
