Mëngjesin e nesërm rreth orës 8:00 të mëngjesit do të bëhet edhe ankorimi i anijes “Moliva” si dhe të kryhet procedura e shkarkimit të 102 kontejnerëve me lëndë toksike.
Kontenjerët do të shkarkohen në kalatë dhe më pas do të bëhet transportimi i tyre jashtë hapësirave portuale, në një zonë të konsideruar të sigurt nga autoritetet.
Vendimi është marrë pas një mbledhje te autoritetit portal me policinë të zhvilluar gjatë ditës së sotme.
Sipas burimeve nga porti dhe kapitaneria “është parashikuar qe 102 kontejnerët me mbetjet e rrezikshme do transportohen në një zonë në Porto Romano, ku do të mbahen të mbikëqyrura 24 orë siç ka kërkuar edhe Prokuroria e Durrësit”.
Pas vendosjes së tyre në këtë hapësirë të sigurt, pritet të procedohet me marrjen e kampionëve nga secili kontenjerë dhe dërgimin e tyre në një laborator të specializuar.
Anija me mbetjet e refuzuara nga autoritetet tajlandeze mbërriti në Durrës më 28 tetor. Prej më shumë se 10 ditësh anija ndodhet në radën e portit.
Kapiteneria e Portit ka bërë të ditur se, janë në dijeni të vendimit të marrë, por po presin shkresen zyrtare nga Autoriteti Portual për të vendosur hyrjen e anijes në Portin e Durresit.








