AKTUALITET /

GJKKO kalon për gjykim ish-kreun e ARRSH, Evis Berberin

Shkruar nga Versus
GJKKO kalon për gjykim ish-kreun e ARRSH, Evis Berberin
Evis Berberi

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim çështjen në ngarkim të Evis Berberit, ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Beberi kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, por gjyqtari i seancës parparake tha se për këtë do vendosë trupa e themelit. Avokati mbrojtës i Berberit pretendoi se nuk provohen akuzat dhe e la në vlerësim të gjykatës në rast se hetimet janë apo jo të plota si dhe për pranimin e kërkesës së tij për gjykim të shkurtuar.

SPAK e akuzon Berberin për korrupsion dhe pastrim parash ndërsa dy ortakët e tij, biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lami akuzohen për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

Të tre u arrestuan mbrëmjen e 13 marsit 2024. Sipas prokurorëve të posaçëm, Evis Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe në krye të Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë 6 tenderë kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj  “NET - GROUP”, sh.p.k. Kjo e fundit përmes transaksioneve paratë i kalonte kompanisë 'DAAM" që Berberi zotëronte dhe kontrollonte në mënyrë indirekte. SPAK thotë se përfitimi i Berberit ka qenë një shumë gati 2.2 milionë euro të cilat përmes kompanisë 'DAAM' shpk. janë investuar në pasuri të paluajtshme. Versus.al

Poll