
Kamerat e sigurisë kanë arritur të zbulojnë itinerarin e autorëve të dyshuar të grabitjes së një argjendarie në Kamëz, ngjarje e ndodhur mesditën e së shtunës.
Policia e Tiranës po vijon hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Sipas burimeve hetimore, autorët janë larguar menjëherë pas ngjarjes në drejtim të Zallherrit, duke lëvizur me një motor dhe të maskuar për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë.
Gjatë arratisjes, ata dyshohet se kanë humbur kontrollin e motorit dhe janë rrëzuar, por kanë arritur të vijojnë më tej largimin nga vendngjarja.
Në kuadër të hetimeve, policia ka shoqëruar disa persona me precedentë penalë në zonë për verifikim, por deri tani nuk është arritur identifikimi i autorëve.
Hetuesit po analizojnë pamjet filmike dhe provat e sekuestruara në vendin e ngjarjes, ku rezulton se janë marrë sende me vlerë ari dhe argjendi.
Ndërkohë, në cilësinë e dëshmitares është marrë në pyetje edhe punonjësja e argjendarisë, e cila ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me autorët, pasi në momentin e ngjarjes ndodhej në një ambient tjetër të dyqanit.
“Nuk kam pasur asnjë përballje me autorët në momentin e grabitjes. Isha në banak, por në pjesën e pasme të tij”, mësohet të ketë deklaruar ajo para hetuesve./Versus.al


