
Tiranë- Në Gjykatën e Posaçme këtë të mërkurë u mbajt seanca gjyqësore për zbardhjen e vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës të ndodhur në janar të 2020-ës, ngjarje për të cilën është shpallur në kërkim Altin Hajri, kreu i klanit “Hajri” në Shijak.
Në gjykatë dëshmuan dy vëllezërit e viktimës të cilët janë pyetur me kërkesë të SPAK. Për ngjarjen e rëndë dyshohet se porositësi është bosi i kokainës Dritan Rexhepi i cili u ekstradua nga Turqia dhjetorin e kaluar. Dyshimet janë se Rexhepi akuzonte Prengën për humbjen e një sasie kokaine.
Në dëshminë e dhënë para trupës gjykuese, njëri prej vëllezërve të Jan Prengës, Ndrek Prenga tha se nuk e njihte Dritan Rexhepin, por shtoi se personi që e kishte kontaktuar, i ishte prezantuar me emrin “Gramoz” dhe theksoi se do ta njihte po ta shihte.
Ndrek Prenga: Nuk e njoh Dritan Rexhepin. Ka qenë një mesazh në telefon, ështe prezantuar me emrin Gramoz. Më ka thënë “Jam Gramozi, gjërat janë të miat, mos të preken”. Unë nuk njoh asnjë nga këto që janë në këtë ngjarje. Nëse mund ta shoh personin me foto që kam fol me kamera, absolutisht e njoh. Nuk them 100%, por e njoh.
Pyetje nga prokurori Behar Dibra:
Ndrek Prenga: Unë nuk kam pyetur asnjë nga këta që kam folur nëse njihemi apo jo. Më është prezantuar në telefon si Gramoz. Gentjan Funiqi më ka marrë vetë në telefon. Në moment pasi është marrë vellai peng, unë kam telefonuar personat që më kishin marrë në telefon, Gentjan Doçin, Gramozin kam biseduar me të, me kthy gjërat. Gramozi me ka thënë nuk ke pune me mu, por me shkodranët me Doçin. Biseda ka qenë me kthy gjërat me liru pengun. Pengu doli më pas që kishte vdekur. Nuk e kam pyetur Gentjan Doçin nëse ai e njeh apo jo Gramozin. Ndoshta edhe e kam pyetur, nuk e mbaj mend 100%. Më mori në telefon Gentjan Doçi, më tha më keni marre gjërat. Unë i thashë jam në burg. Më mori të nesërmen më tha që të kanë marrë vëllain peng. Kur kanë dalë pamjet filmike origiinal sikur ma ka thënë burri huj. Unë e kam parë në media, videon.
Ndër të tjera, Ndrek Prenga pretendon se Gentjan Doçi, i arrestuar në Spanjë ka qenë ai që e ka paralajmëruar për pengmarrjen e vëllait duke pretenduar se i kishin humbur ngarkesën me lëndë narkotike.
Pjesë nga dëshmia në seancë:
Dibra: Pse thua që Doçi ta mori vëllain peng?
Prenga: Sepse ai më mori mua në telefon. Gramozi mua nuk më ka thënë asgjë fare. Kur me ka marrë Gramozi, unë i kam thënë jam në burg, kemi folur me kamer. As më intereson kush është Gramozi, as kush janë Doçajt. Unë nuk dua ta mbroj Gramozin, por nuk më ka borxh.
Avokatët pyetje. Përgjigjet Prenga.
Avokatja kërkon ti tregojë Prengës disa foto të Dritan Rexhepit, dhe pyet dëshmitarin nëse e njeh apo jo.
Behar Dibra: Paraqitja nuk bëhet me foto, por fizikisht. Nuk është veprim që bëhet në sallën e gjyqit, por bëhet me një grup personash.
Avokatja Joana Qeleshi: Kur tjetri thotë kam folur me filanin, t’ia tregojme e njeh apo jo. Unë kam bërë printinin e fotove për efekt shpejtësie.
Behar Dibra: Nuk është mohuar prej tij që ka folur me këtë person.
Pas rihapjes së çështjes për zbardhjen e vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës, më 10 shtator u dërgua për gjykim në mungesë Altin Hajri, kreu i grupit “Hajri” i cili prej 2020-ës është shpallur në kërkim dhe një aksion i bërë së fundmi nga SPAK zbuloi se ai kishte qenë strehuar në shtëpinë e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja të cilin e kishte ndihmuar për t’u bërë deputet i PS.
Ndërkohë, grupi i përgjegjësve të akuzuar është ndarë në disa pjesë. Më herët gjykata ka dënuar Festim Bexhdilin me burgim të përjetshëm, ndërkohë që ka nisur gjykimi për Dritan Rexhepin dhe të pandehurit e tjerë, proces i cili është drejt fazave të fundit. Versus.al








