AKTUALITET /

Grenell publikon shifrat: OJQ-të në Shqipëri morën 189 milionë dollarë nga USAID në 4 vite

Sipas të dhënave, Kosova është në krye të listës me 537 milionë dollarë, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 402 milionë dollarë.

Shkruar nga Versus

Grenell publikon shifrat: OJQ-të në Shqipëri morën 189

Organizatat joqeveritare në Shqipëri kanë marrë 189 milionë dollarë ndihmë nga USAID gjatë periudhës 2020-2024.

Ky informacion u bë publik nga Richard Grenell, i dërguari special i ish-presidentit amerikan Donald Trump për çështjet e krizave. Grenell publikoi në platformën “X” shifrat e ndihmave të dhëna nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave, Kosova është në krye të listës me 537 milionë dollarë, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 402 milionë dollarë. Shqipëria ka marrë 189 milionë dollarë, duke qenë në mes të listës. Këtu janë shifrat e plota:

Kosova: 537 milionë dollarë
Bosnja dhe Hercegovina: 402 milionë dollarë
Maqedonia e Veriut: 290 milionë dollarë
Serbia: 209 milionë dollarë
Shqipëria: 189 milionë dollarë
Mali i Zi: 77 milionë dollarë

Richard Grenell ka kritikuar ashpër shpërdorimin e fondeve të USAID, duke thënë se paratë e taksapaguesve amerikanë janë përdorur për të financuar organizata të krahut të majtë që promovojnë politika radikale në Ballkan.

Në postim, Grenell shkroi: “Amerikanët e palodhur paguajnë taksa – politikanët në Uashington, DC i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur. Miliardë dollarë u janë dhënë OJQ-ve të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në vende të tjera. Këtu është një fragment vetëm nga USAid…” 

Më 20 janar, në ditën e parë të mandatit të tij, Presidenti Donald Trump vendosi një pezullim 90-ditor të ndihmave për vendet e huaja, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Ky vendim u mor për t’i vlerësuar efektivitetin dhe përputhshmërinë e projekteve me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Kritikat ndaj USAID nuk janë të reja. Grenell ka akuzuar ish-drejtuesen e USAID, Samantha Power, për keqpërdorim të fondeve për të mbështetur grupe të krahut të majtë. Ai ka bërë thirrje FBI-së që të hetojë këto akuzime.

Edhe Elon Musk, themeluesi i Tesla dhe SpaceX, ka shprehur kritika ndaj USAID, duke e quajtur atë një “organizatë kriminale” dhe duke thënë se ka ardhur koha që ajo të “vdesë”./Verssu.al

Poll