AKTUALITET /

Hakmarrje pas 30 vitesh: Si u ekzekutua me 12 plumba Pjetër Kaza, bashkëshortja: Ruhej përditë, kishte humbur edhe dy vëllezër

Sipas burimeve të hetimit, autorët përdorën një armë me silenciator, pasi në momentin e atentatit nuk janë dëgjuar krisma, pavarësisht se mbi viktimën janë shkrepur 12 plumba.

Shkruar nga Versus

 

Hakmarrje pas 30 vitesh: Si u ekzekutua me 12 plumba Pjetër Kaza,
Viktima Pjeter Kaza

Ngjarja tragjike e ndodhur pak ditë më parë në Lezhë, ku u ekzekutua 57-vjeçari Pjetër Kaza, ka nxjerrë në dritë detaje të reja që konfirmojnë përmasat e një hakmarrjeje të gjatë dhe të përgjakshme mes dy fiseve – Kaza dhe Gjini – me një histori që shkon më shumë se 30 vite pas.

Sipas burimeve të hetimit, autorët përdorën një armë me silenciator, pasi në momentin e atentatit nuk janë dëgjuar krisma, pavarësisht se mbi viktimën janë shkrepur 12 plumba. Kaza u qëllua për vdekje në derën e banesës së tij, ndërsa automjeti i tij ishte ende i ndezur, gati për t’u nisur.

Bashkëshortja e viktimës, e cila ishte personi i parë që dha dëshmi përpara hetuesve, tha se e gjeti burrin e saj pa shenja jete pak minuta pas ngjarjes. Ajo shtoi se familja e saj ishte prekur rëndë nga hakmarrja ndër vite, pasi Pjetri kishte humbur edhe dy vëllezër më herët si pasojë e të njëjtit konflikt.

Vrasja e Pjetër Kazës shënon viktimën e pestë në përplasjen ndërmjet fiseve Kaza dhe Gjini, një përplasje që nisi që në vitin 1994, dhe që duket se nuk ka gjetur ende fundin.

Policia dhe prokuroria e Lezhës vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit, ndërkohë që pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes së vjetër, që sërish ka marrë një jetë njerëzore. /Versus.al

Poll