AKTUALITET /

Herë si garantorë, herë si konsulentë! Si depërtuan shqiptarët në trafikun e drogës në Ekuador

Shkruar nga Versus

Herë si garantorë, herë si konsulentë! Si depërtuan

Ditë më parë, u arrestua në Abu Dhabi, Dritan Gjika, i njohur edhe si kreu i mafias së trafikut të drogës nga Ekuadori drejt Spanjës apo vendeve të tjera të Europës. Arrestimi i tij solli në vëmendje, rrugëtimin e ndjekur prej grupeve kriminale shqiptare për të arritur në majat e trafikut të drogës në vendin e Amerikës Latine.

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në “Opinion” dha detaje lidhur me mënyrën e funksionimit të grupeve shqiptare që merren me trafikun e drogës nga Amerika Latine. Ai shpjegoi se shqiptarët kanë bashkëpunuar me mafian italiane ‘Ndragheta’ fillimisht për të depërtuar në tregun e kokainës.

“Këta kanë hyrë me pasaporta të vendeve të Bashkimit Evropian, pjesë dërrmuese e atyre që merren me trafikim të lëndëve narkotike nuk kanë pasaporta të Shqipërisë. Nuk është qëllimi të ndikohet në aktivitetin e brendshëm në Ekuador, por të gjenden të çara dhe të shfrytëzohet për tregti. Janë kartelet meksikane, kolumbiane ato që çojnë armë atje, që i kanë futur në konflikt, që furnizojnë grupet kryesore. Ata janë të interesuar, ne nuk jemi deri në atë nivel.

Por ne kemi shkuar atje sigurisht nëpërmjet Ndranghetës italiane, pra kemi marrë operacione që na i kanë lejuar të tjerët. Dhe pastaj në momentin që kemi parë si funksionon, kemi krijuar lidhjet, jemi përpjekur të bëhemi autonomë, se jo në çdo rast ndodh”, shpjegoi Hoxha.

Më tej Hoxha shpjegoi se problem më i madh është vendi ku do të zbarkohet ngarkesa dhe sesi do bëhet shpërndarja dhe ky është momenti kur shqiptarët luajnë rolin më të madh. Sipas gazetarit, shqiptarët ose luajnë rolin e konsulentit për bosët e grupeve kriminale vendase ose janë garantët për dërgimin e parave dhe mbërritjen e lëndës narkotike në Europë.

“Ka linja shqiptare, nga momenti që e blen deri te rrugët e shpërndarjes me pakicë. Kemi mbyllur zinxhirin nga Azia për heroinën drejt Europës dhe zinxhirin tjetër nga Amerika Latine dhe prandaj ne jemi ekspozuar. Sepse kemi shkuar në vendin e origjinës, jemi ekspozuar atje dhe në situate politike, kemi të vrarët në Ekudor, Kolumbi, Peru. Vitet e fundit, kapej një bos lokal kolumbian dhe bashkë me të dhe një shqiptar. Në pjesën më të madhe të kohës, ose janë në atributin e njeriut që është aty për të garantuar dërgimin e parave dhe ardhjen e mallit në Europë, ose në krahun tjetër ishin si një lloj konsulenti ose krah i djathtë i liderit lokal”, përfundoi ai. Versus.al

Poll