
Lezhë- Tre oficerë të burgut të Shënkollit janë arrestuar për shpërdorim detyre në rastin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës kur i dënuari Daut Laze arriti të arratisej.
Mësohet se në pranga kanë rënë Pjetër Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Medha. Të tre punonjësit akuzohen se nuk kanë përmbushur detyrat e caktuara, duke bërë që Laze të gjente kushtet e përshtatshme për t’ja mbathur.
Si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike, efektivja e arrestuar Zhaneta Medha përfundoi në spital.
Ndërkohë policia vijon kërkimet për gjetjen e 49 vjeçarit i cili vuan nga çrregullime psikopatike dhe trajtohej me mjekim të detyruar në infermierinë e burgut. Për këdo që jep informacion mbi vendndodhjen e të arratisurit, policia ka ofruar shumën prej 10 mijë eurosh si shpërblim.
Daut Laze rezulton të jetë dënuar në 2021-in për dhunë në familje. Por 49 vjeçari së fundmi po merrte mjekim të detyruar në një prej ambienteve të posaçme të burgut. Në atë moment ai ka shfrytëzuar rastin për të kapërcyer murin e pjesës jugore të institucionit të sigurisë. Versus.al







