
I dënuari i cili u arratis nga burgu i Shënkollit gjatë mbrëmjes së djeshme, vuan nga çrregullimi psikopatik i pa specifikuar paranoid. Sëmundja i ka filluar kohë më parë dhe kërkon trajtim e ndjekje të rregullt në psikiatrik.
Në njoftimin e dhënë nga drejtoria e burgjeve bëhet me dije se ndaj të dënuarit ishte vendosur masa “mjekim i detyruar” dhe ka qenë duke u trajtuar në ambientin e posaçëm për mjekim.
“Më datë 4 shkurt 2025, në orët e para të mëngjesit, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në IEVP Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit Daut Hysen Laze, i lindur më 30 gusht 1976 në Çorovodë dhe banues në Tiranë.
Ai ishte arrestuar më 16 nëntor 2021. Me vendimin nr. 528, akti datë 4 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, sipas nenit 46 të Kodit Penal”- njofton drejtoria e burgjeve.
Autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa deri më tani raportohet se ka shfrytëzuar hapësirat në ambientin e posaçëm mjekësor për të kapërcyer murin e burgut në pjesën jugore. Versus.al








