AKTUALITET /

I dyshuar për vrasje dhe rrëmbim në Spanjë, arrestohet në Kolumbi i shumëkërkuari shqiptar Florind Rama

Sipas mediave të huaja, Rama është gjurmuar në qytetin Pereira, ku është ndërhyrë nga policia kolumbiane për ta arrestuar.

Shkruar nga Versus
I dyshuar për vrasje dhe rrëmbim në Spanjë, arrestohet
Florind Rama

Një operacion i përbashkët ndërkombëtar ka çuar në arrestimin e një prej të shumëkërkuarve të drejtësisë europiane, shtetasit shqiptar Florind Rama, i cili u kap në Kolumbi nga forcat policore lokale në bashkëpunim me Europolin dhe autoritetet spanjolle.

Sipas mediave të huaja, Rama është gjurmuar në qytetin Pereira, ku është ndërhyrë nga policia kolumbiane për ta arrestuar.

Ai rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me “kod të kuq” nga Interpoli, në lidhje me një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në vitin 2022 në Marbella.

Autoritetet spanjolle e akuzojnë atë për rrëmbim, torturë dhe vrasje, ku dyshohet se viktima është mbajtur peng dhe është keqtrajtuar përpara se të vritej.

Arrestimi është realizuar si pjesë e operacionit të koduar “Tripoli”, një hetim ndërkombëtar që synon goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar me shtrirje në disa vende të Europës dhe Amerikës Latine.

Sipas drejtuesve të policisë kolumbiane, i arrestuari dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti kriminal me origjinë shqiptare të përfshirë në aktivitete të rënda kriminale, përfshirë edhe vrasje me pagesë dhe trafik droge. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar lidhje të tjera të mundshme të tij në vende të ndryshme./Versus.al

Poll