AKTUALITET /

AKEP reagon për rritjen e tarifave të One Albania: Po e ndjekim nga afër, do ketë një vendim!

Shkruar nga Versus
AKEP reagon për rritjen e tarifave të One Albania: Po e ndjekim nga
Foto montazh: Dyqan i kompanisë One, Gentian Sala

Pas ankesave të shumta nga abonentët lidhur me rritjen e tarifave që pritet të hyjë në fuqi më 1 maj 2026, ka reaguar kreu i Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Gentian Sala.

Në një prononcim për News24, Sala bëri të ditur se institucioni që ai drejton është në komunikim të vazhdueshëm me operatorin dhe se çështja po monitorohet nga afër.

“Kemi komunikim të vazhdueshëm me operatorin telefonik, por edhe javën që kaloi specifikisht për këtë çështje. Nëse ka vend për vendim, do marrim një vendim; për çdo ankesë do ketë një përgjigje”, u shpreh Sala., u shpreh ai.

Reagimi vjen në një kohë kur shumë qytetarë kanë shprehur pakënaqësi në rrjetet sociale dhe media, duke e konsideruar rritjen e tarifave të padrejtë, pasi sipas tyre shërbimi mbetet i pandryshuar.

Sipas njoftimit të kompanisë One Albania, rritja do të jetë deri në 2.2% dhe bazohet në indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT.

Ndërkohë, vendimi ka sjellë reagime nga qytetarët, të cilët prej kohësh kanë shprehur pakënaqësi për cilësinë e shërbimeve, ndërprerjet e internetit dhe telefonisë, mungesën e transparencës në tarifa dhe vonesat në trajtimin e ankesave.

Pavarësisht kritikave, të dhënat zyrtare tregojnë se kompania ka pasur performancë të fortë financiare.

Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2024 me një fitim neto prej 476 milionë lekë, një rritje e ndjeshme krahasuar me 70 milionë lekë një vit më parë.

Në të njëjtën kohë, kompania është nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka nisur procedurat më 13 shkurt 2025.

Hetimi përfshin periudhën 2022–2024 dhe synon të verifikojë nëse praktikat e saj në treg kanë kufizuar konkurrencën./Versus.al

 

Poll