Një grindje mes grupeve rivale shihet nga policia si motivi i mundshëm pas pritës me armë të ngritur nga autorë deri tani të panjohur ndaj dy burrave jashtë një kafeneje në Thrakomakedones, si pasojë e së cilës 45-vjeçari Irakli Davella humbi jetën dhe Edi Lolo, u plagos mjaft rëndë.
I ndjeri, Irakli Davella, sipas informacioneve të deritanishme, kishte lidhje me persona të mafias greke që ishin vënë në shënjestër të autoriteteve.
Sulmi ndodhi jashtë një dyqani në kryqëzimin e rrugëve Aristotelous dhe Komotinit. Autorët kanë qëlluar me gjakftohtësi në drejtim të viktimave dhe njeriu që ka rënë i vdekur është qëlluar me plumb në kokë. Sipas informacioneve të deritanishme, i ndjeri ishte shtetas grek, me origjinë shqiptare, pronar lokali në Peristeri, i cili verës merrte edhe automjete me qira në ishuj. Ai duket se ka mbajtur marrëdhënie miqësore me persona të lidhur me mafian greke, ndërsa i plagosuri është një shqiptar, Edi Lolo, i cili ka mbërritur në Greqi nga Dubai, pak ditë më parë.
Sulmuesit ishin në një makinë që ishte vjedhur më herët sot, që policia beson se do të thotë se ata e kishin planifikuar krimin dhe vodhën makinën pikërisht për të shkuar atje ku goditën viktimat e tyre. Mënyra se si vepruan tregon planifikim të detajuar nga autorët e porositësit. Hetimet nisin me investigimin e mjedisit profesional dhe personal të dy personave që u vunë në shënjestër.







