
Një ngjarje e tensionuar ka ndodhur sot në zonën e Delijorgjit në Tiranë, ku një person i armatosur ka tentuar të grabisë filialin e një banke të nivelit të dytë, duke shkaktuar frikë mes klientëve dhe banorëve të zonës.
Autori, i identifikuar si Bardhyl Fusha, rreth 58 vjeç, hyri i pamaskuar në bankë rreth orës 11:15 me një çantë dhe ku fshihte armën kallashnikov, me qëllim të mbushjes së saj me para.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se Fusha ka qëlluar një herë në dysheme, por nuk ka lënduar asnjë person.
Menjëherë efektivët e Policisë së Komisariatit nr.2 ndërhynë dhe neutralizuan autorin, i cili dorëzoi çantën me armën brenda dhe nuk arriti të marrë asnjë shumë parash.
“Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar para se të largohej nga vendi i ngjarjes. Autori është shoqëruar në Komisariat dhe arma e zjarrit është sekuestruar. Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin,” njofton Policia e Shtetit.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar./Versus.al


