
Policia e Shkodrës ka arrestuar në orët e vona të së shtunës Arlind Kajoshin, i shpallur në kërkim për rrahjen e Vladimir Bruçit së bashku me Samuel Troshani dhe Izmir Sakicën.
Ngjarje kjo e ndodhur më 3 qershor të vitit 2024, ku 62-vjeçari u dhunua për një parkim nga të rinjtë.
Kajoshi është arrestuar në Shtoj, fshat në dalje të Shkodrës në një banesë të braktisur.
Po kush është Arlind Kajoshi?
I lindur në Shkodër Kajoshi është i njohur për përfshirjen e tij në ngjarje kriminale që kanë tronditur opinionin publik. Ai është vëllai i boksierit të njohur Arjon Kajoshi.
Ngjarjet kryesore ku emri i Kajoshit është i përfshirë:
Dhuna ndaj Vladimir Bruçit (Qershor 2024): Në fillim të qershorit 2024, Arlind Kajoshi ishte një nga pesë personat që dhunuan me mjete të forta 62-vjeçarin Vladimir Bruçi në Shkodër, pas një konflikti për një vend parkimi. Ky akt solli plagosjen e viktimës dhe shpalljen në kërkim të Arlind Kajoshit dhe katër personave të tjerë.
Atentati ndaj mjetit të familjes Kajoshi (Shtator 2024): Më 7 shtator 2024, një automjet i tipit "Range Rover" në pronësi të Sokol Kajoshit, babait të Arlind dhe Arjon Kajoshit, u qëllua me armë zjarri në lagjen "Partizani" të Shkodrës.
Shënjestra e këtij atentati ishte Arlind Kajoshi, i cili fatmirësisht shpëtoi pa lëndime. Autori i dyshuar, Alban Bruçi, është djali i Vladimir Bruçit, i cili ishte dhunuar nga Arlindi dhe të tjerët në qershor të po atij viti. Ky akt dyshohet të ketë qenë një akt hakmarrjeje./Versus.al







