Ditën e djeshme u bë publik një rast që raportohet se kishte ndodhur 5 ditë më parë në Parkun e Llogarasë ku ishte qëlluar me armë gjahu kundrejt 22 kuajve.
Për ngjarjen, është vënë nën hetim një 55 vjeçar i identifikuar si S.M i cili akuzohet për veprën penale “keqtrajtimi i kafshëve”. Pavarësisht se u raportua se si pasojë e të shtënave kishin ngordhur disa kuaj, policia thotë se vetëm njëri prej tyre është plagosur.
“Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, ku në territorin e parkut të Llogarasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46 vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55 vjeç, banues në Orikum. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M”, thuhet në njoftim.
Dyshohet se shkak për këtë ngjarje është bërë konkurrenca mes pronarëve për shkak se kuajt përdoreshin për guida dhe shëtitjen e turistëve. Versus.al







