AKTUALITET /

IKMT e zhytur në borxhe, KLSH: 1.1 mld lekë detyrime nga gjyqet, lejuan edhe ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura

Në auditim theksohet se ka patur raste kur IKMT konstatonte shkeljen e ligjit, por vendimi për prishjen e objektit zvarritej.

Shkruar nga Versus

IKMT e zhytur në borxhe, KLSH: 1.1 mld lekë detyrime nga gjyqet,

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur problematika të shumta në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit përsa i përket veprimtarisë së këtij institucioni përgjatë periudhës 2020-2024.

Sipas auditimit të KLSH, gjatë kësaj periudhe janë likuiduar në total 554 milionë lekë për detyrime që burojnë nga proceset gjyqësore, ndërsa deri më 31 dhjetor 2024, në total detyrimet e mbetura arrijnë deri në 1.1 miliardë lekë.

Nga kjo shumë, 1,026,254,890 lekë përfaqësojnë detyrime për vendime gjyqësore të formës së prerë, 46,722,762 lekë janë taksa përmbarimore dhe 18,288,702 lekë janë shpenzime gjyqësore, të cilat kanë rënduar drejtpërdrejt buxhetin e institucionit.

Ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe mungesa e veprimit të IKMT

Në raportin e auditimit vihet re një tjetër problematikë përsa i takon mungesës së koordinimit të institucioneve duke sjellë si pasojë lejimin e ndërtimeve në zona të mbrojtura apo turistike.

KLSH ka konstatuar se sinjalizimet për ndërhyrje të jashtëligjshme nuk kanë munguar por delegimi në drejtoritë rajonale të Inspektoratit apo në institucione të tjera për mungesë kompetencë ka bërë që reagimi të mungojë. Në rastet kur është konstatuar sipas KLSH se ka pasur shkelje të ligjit dhe është kërkuar prishjen e ndërtimit, kjo masë është zvarritur.

“IKMT nuk është angazhuar për kryerjen e inspektimeve të nevojshme, për të garantuar mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme në zona ose objekte me rëndësi kombëtare, pas sinjalizimeve të ardhura nga institucionet e tjera publike (si Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore/ Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Agjencia Kombëtare e Bregdetit/ Agjencitë Rajonale të Bregdetit, administrata e zonave të mbrojtura, etj.). Në rastet kur ka vendim prishje, vijon të mos jenë ekzekutuar, duke sjell më pas dhe rritjen e rasteve të ndërtimeve të kundërligjshme”-thuhet në auditim mes të tjerash. Versus.al

Poll