Ish-zëvendës drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi e cila prej muajsh është nën arrest shtëpie për skandalin me tenderat e agjencisë, ka kërkuar në Apelin e Gjykatës së Posaçme zëvendësimin e masës së sigurisë.
Delibashi njëjtë si ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj mbahet nën arrest shtëpie nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 258 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Hetimet e SPAK deri më tani kanë zbuluar një skemë kriminale të dyshuar si të drejtuar nga biznesmeni Ergys Agasi (në kërkim), i cili fshihej pas biznesmenit tjetër të shpallur në kërkim, Ermal Beqiri. Praktikisht milionat e eurove të tenderave, dyshohet se përfundonin tek Ergys Agasi pa kryer asnjë punë për AKSHI-n. Gjithashtu grupi kriminal kishte rrëmbyer edhe biznesmenin Gerond Meçe për ta presionuar që të dorëhiqej nga ankimi për tenderat e AKSHI-t. Pjesë nga dosja zbuluan sesi vetë Karçanaj shfaqej në zyrën e Agasit. Versus.al



