
Inspektorët e Mbrojtjes së Territorit do të nisë një plan kontrolli në terren për zbatimin e masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit. Drejtuesi i IKMT, Afrim Qëndro bëri me dije se fillimisht kontrollet do të nisin në Tiranë dhe më pas do të vijojnë në të gjithë territorin e vendit.
Zhvillimi urban duhet të jetë në përputhje të plotë me parametrat teknikë të lejeve të dhëna, thekson ai. Qëndro tha se pas inspektimi të parë, subjekteve ku do të gjenden shkelje do t’u lihet afat 10 ditë për të bërë rregullime dhe në rast se ende nuk kanë marrë masat, do të ndëshkohen.
“Në kontrollin e dytë që do të bëhet ata që nuk i kanë plotësuar kërkesat për sigurinë teknike, do të ndëshkohen rreptësisht sipas detyrimeve që përcakton ligji”- u shpreh Qëndro.
Çdo leje e miratuar përmban një listë të gjatë detyrimesh për subjektet ndërtuese, e cila duhet të respektohet në mënyrë rigoroze, si në aspektin e projektit teknik, ashtu edhe në lidhje me masat e sigurisë në kantier. Versus.al

