
Gazetari i njohur dhe drejtues i “Unionit të Gazetarëve”, Aleksandër Çipa ka ngritur shqetësime të forta mbi ndalimin e përjetshëm të gazetarit Artan Hoxha nga hyrja në Greqi.
Çipa tha në emisionin “Breaking” se ky nuk është rasti i parë, pasi më herët është ndaluar gazetari Marin Mema, Enrik Mehmeti si dhe vetë Çipa është penguar dhe vonuar në pikën kufitare nga pala greke në mënyrë të pajustifikuar.
Ai tha se kjo çështje duhet të ngrihet në nivel diskutimi jo vetëm midis dy vendeve, por edhe në nivel ndërkombëtar.
“Shpresoj të kemi reagime në nivel të lartë diplomat. Sepse nuk është vetëm rasti i zotit Hoxha, por janë edhe shumë gazetarë të tjerë, të cilësuar si të rrezikshëm. Janë rastet e gazetarëve që trajtojnë çështjet mes dy vendeve apo të shqiptarëve në Greqi, dhe cilësohen si të padëshiruar.
Kemi pasur edhe rastin e Marin Memës dhe gazetarit Enrik Mehmeti. Nga ana tjetër edhe unë kam denoncuar vonimin tim të pajustifikuar nga autoritetet greke.
Nuk kemi një vendim se përse zoti Hoxha është cilësuar si i tillë. Këto raste meritojnë jo vetëm diskutim mes dy shteteve, por edhe në nivele ndërkombëtare.
Mossqarimi i këtyre rasteve, në kushtet kur ai nuk ka asnjë proces gjyqësor të hapur në shtetin fqinj. Këto mund të sjellin pengesa në shkëmbimet midis gazetarisë greke dhe shqiptare në përgjithësi”, deklaroi Çipa në Top News.
