Sot u mbajt seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, ku i akuzuari është bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Gjatë seancës, prokurorja Javorka Perlinçeviq prezantoi prova të reja që lidhnin Murselin me ekzekutorin Granit Plava.
Prokurorja zbuloi mesazhet dhe komunikimet e telefonit mes Murselit dhe Plavës disa ditë para vrasjes.
Sipas dëshmisë së saj, natën e ngjarjes, Granit Plava ishte në të njëjtin restorant me Murselin dhe familjen e tij.
“Prova të tjera janë thirrjet telefonike mes të pandehurve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të cilat janë të dokumentuara. Telefona e Murselit dhe e të ndjerës Liridona Murseli u zhdukën mistershëm natën e ngjarjes. Komunikimet në WhatsApp tregojnë se Murseli dhe Plava kanë komunikuar që më 23 nëntor 2023 deri më 29 nëntor 2023, ditën e vrasjes,” tha prokurorja.
Sipas saj, Murseli i kishte dërguar Plavës mesazhe duke koordinuar veprimet, përfshirë thirrjen telefonike të fundit më 29 nëntor 2023 në orën 19:01, e cila zgjati 28 sekonda.
Video-incizimet tregojnë se Murseli dhe familja e tij ishin në restorantin Etnokuqa në Graçanicë, ndërsa Plava i priste jashtë restorantit dhe i përcillte me makinë.
Gjithashtu, prokurorja theksoi se gjatë ngjarjes, Plava ka paguar llogarinë e restorantit, ka dalë nga objekti dhe i ka ndjekur Murselin dhe familjen e tij. Pamjet e kamerave të restorantit tregojnë qartë vendin ku ishin ulur dhe automjetet e të pandehurve.
Në seancë u prezantua edhe gëzoja e plumbit të përdorur në vrasje, e cila do të administrohet si provë nga gjykata.
Prokurorja raportoi gjithashtu mbi borxhet e Naim Murselit, që në mars të vitit 2024 arrinin vlerën totale prej 475,968.77 euro, përfshirë edhe borxhet ndaj personave fizikë prej 106,000 euro.
Një provë tjetër e rëndësishme ishte dokumentacioni nga autoritetet suedeze që konfirmon se Liridona Murseli kishte një sigurim jete që nga 25 qershori 2022, me vlerë rreth 3 milionë korona suedeze (rreth 272,000 euro).
Sipas ligjit suedez, në rast të vdekjes së saj, përfitues i sigurimit do të ishte bashkëshorti i saj, nëse nuk kishte vartës të tjerë.
