Detaje të reja janë mësuar nga dosja hetimore e vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, dosje të cilën sot prokuroria e Tiranës ia kaloi gjykatës ku do të vendoset nëse do të kalojë ose jo për gjykim dy vëllezërit Shkëlqim dhe Florjan Dukaj.
Biznesmeni me origjinë nga Dibra u ishte drejtuar dy vëllezërve me tone miqësore në mesazhin e fundit të dërguar për t’u ulur që të bisedonin në mënyrë që të zgjidhnin konfliktin mes tyre për një sipërfaqe toke në pronësi të Reçit ku ishte ndërtuar një pjesë e lokalit në pronësi të dy vëllezërve.
“Mirëdita! Si jeni miku im? Sipas dakordësisë të lënë me propozimin tuaj për t’u takuar në datën 3 nëntor, po ju pres për t’ju takuar. Mua më ke gati. E mira është që në takimin e radhës të jeni të dy vëllezërit”- thuhet në mesazhin e fundit që i ndjeri u kishte dërguar dy vëllezërve në nëntor të 2024-ës.
Polici Shkëlqim Dukaj i përgjigjet me mesazhin “takohemi ditën e shtunë ora 11:00 se jam në punë deri vonë”. Por vetëm 10 ditë pas këtij mesazhi, biznesmeni vritet me snajper jashtë pallatit ku po pastronte oborrin.
Hetimet e prokurorisë zbuluan se 2 vëllezërit e kishin përgatitur vrasjen në detaje. Madje Shkëlqim dhe Florjan Dukaj kishin bërë edhe qitje të vazhdueshme në poligon dhe kishin përgatitur të gjitha detajet me qëllim që të mos identifikoheshin nga policia. Versus.al

