Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy vëllezërit Shkëlqim dhe Florjan Dukaj të pandehur për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi më 13 nëntor të 2024-ës.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale: vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim, armëmbajtja pa leje dhe prodhimi e shitja e armëve. Prokuroria thotë se është provuar se Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç dhe vëllai i tij Florjan Dukaj, 45 vjeç në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vrasjen me paramendim të Eduart Reçit, i cili ndër vite kishte ndërtuar në Tiranë dy pallate, një vilë dhe të gjitha njësitë e banimit, garazhet etj, i ka dhënë me qira tek persona të ndryshëm.
Reçi dhe autorët kishin mosmarrëveshje për çështje pronësie. Dy vëllezërit kishin në pronësi një lokal që kufizohej me lokalin që kishte nën pronësi viktima pasi një pjesë e lokalit të tyre ishte ndërtuar në tokën e Eduart Reçit.
Sipas prokurorisë vrasja ka qenë e planifikuar deri në detaje nga Shkëlqim Dukaj i cili njëkohësisht ishte edhe oficer policie në komisariatin nr.2 dhe kishte të gjitha informacionet e nevojshme. Fillimisht ata kishin tentuar ta kryenin vrasjen më 8 nëntor, por pasi dështuan përsëruan sërish më 13 nëntor. Qitësi ka qenë Shkëlqim Duka i cili ishte i përgatitur në përdorimin e snajperit. Njëkohësisht me momentin kur qëlloi viktimën u hodhën edhe fishekzjarre për të mbuluar krimin e rëndë.
“Për realizimin e vrasjes, krahas veprimeve për sigurimin e armës, personi nën hetim së bashku me vëllain e tij, kanë studiuar me imtësi dhe kanë përcaktuar kohën dhe vendin ku do të realizonin vrasjen, me qëllimin njëkohësisht që të mos diktoheshin dhe t’i shpëtonin përgjegjësisë penale. Ata, sipas një plani të detajuar, kanë vendosur që vrasjen e shtetasit E. R. ta realizonin natën me qëllim që të mos ekspozoheshin dhe identifikoheshin nga kamerat apo personat. Duke qenë në dijeni se viktima në mbrëmje dilte që pastronte oborrin, të pandehurit kanë vendosur që vrasjen ta kryejnë në distancë, nga një pozicion ku kishte pamje të oborrit para lokalit të viktimës dhe që ekzekutori të mos ishte i monitoruar nga kamerat dhe larg syve të njerezve”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Viktima u kishte kërkuar dy vëllezërve që ta lironin sipërfaqen e tokës së tij në mënyrë vullnetare pa qenë nevoja që të shkonin në seanca gjyqësore. Dy vëllezërit kanë refuzuar të japin shpjegime para hetuesve duke pretenduar se nuk e kanë kryer ata krimin e rëndë. Versus.al
