AKTUALITET /

Ish-banori i Big Brother mashtrime në emrin e Top Channel, u merr para bizneseve për “reklama” (SKEMA)

Sipas verifikimeve, Elton Tozaj nuk ka qenë asnjëherë i punësuar në Top Channel, megjithatë ka arritur të përfitojë nga biznese të ndryshme, dy raste të të cilave janë dokumentuar nga emisioni investigativ Fiks Fare.

Shkruar nga Versus

Ish-banori i Big Brother mashtrime në emrin e Top Channel, u merr para

Personazhi publik, Elton Tozaj, ish-banor i Big Brother Albania, dyshohet se ka mashtruar disa biznese duke u prezantuar në mënyrë të rreme si punonjës i brendshëm i televizionit Top Channel.

Sipas verifikimeve, Elton Tozaj nuk ka qenë asnjëherë i punësuar në Top Channel, megjithatë ka arritur të përfitojë nga biznese të ndryshme, dy raste të të cilave janë dokumentuar nga emisioni investigativ Fiks Fare.

Duke shfrytëzuar prezencën e tij si analist i zhvillimeve në shtëpinë e Big Brother VIP, Tozaj u ka premtuar bizneseve reklamim në ekranin e Top Channel. Në këmbim, ai ka kërkuar pagesa në emër të stafit të televizionit, si edhe pajisje celulare.

Rasti i Korçës

Rasti i parë është regjistruar në qytetin e Korçës, në një dyqan telefonash celularë, ku Tozaj ka marrë 3 aparate “iPhone 17 Pro Max”, me një vlerë totale rreth 5.200 euro. Ai është prezantuar si punonjës i Top Channel dhe ka përmendur emra të pronarëve dhe drejtuesve të televizionit për të fituar besimin e biznesit.

Sipas skemës së mashtrimit, Tozaj është njohur fillimisht me pronarin e dyqanit në një hotel në Korçë dhe më pas, përmes mesazheve, i ka kërkuar tre telefona, duke pretenduar se një ishte për vete dhe dy për drejtues të Top Channel. Aparatet janë dërguar me korrier në një adresë në Tiranë.

Pronari i dyqanit e ka denoncuar rastin në Policinë e Korçës, ndërsa Prokuroria ka nisur procedim penal. Punonjësit e dyqanit deklarojnë se Tozaj i kishte premtuar pagesën, duke pretenduar se telefonat ishin “dhuratë nga puna pas 16 vitesh në televizion”.

Rasti i Kavajës

Rasti i dytë, i dokumentuar nga Fiks Fare, ka ndodhur në Kavajë, ku Tozaj ka mashtruar pronarët e një restoranti. Ai u ka premtuar se, kundrejt një pagese prej 200 eurosh, restoranti do të reklamonte biznesin duke shtruar një darkë për banorët e Big Brother VIP Albania 5.

Edhe në këtë rast, Tozaj është justifikuar me njohjet që pretendonte se kishte me produksionin e spektaklit dhe drejtuesit e Top Channel. Pas vonesave dhe kërkesës për kthimin e parave, ai u ka dërguar pronarëve një video ku shfaqej i gjakosur, duke pretenduar se kishte pësuar një aksident.

Pronari i restorantit shprehet se kishte dyshime që në fillim për mashtrim dhe më pas kishte lexuar në internet se Tozaj kishte qenë i proceduar më parë.

E shkuara penale
Nga verifikimet rezulton se Elton Tozaj ka qenë i proceduar disa herë nga drejtësia. Në vitin 2007 ai është ndaluar nga policia, i akuzuar për mashtrim, pasi kishte marrë para nga pronarë taksish duke u hequr si punonjës i Bashkisë së Tiranës. Në raste të tjera, sipas raportimeve mediatike, ai është prezantuar edhe si këshilltar ministrash.

Një tjetër procedim penal është hapur ndaj tij në vitin 2024 në Korçë, ku Prokuroria ka kërkuar edhe masë shtrënguese, sërish për akuzën e mashtrimit.

Reagimi i Tozajt
I kontaktuar nga Fiks Fare në Tiranë, Elton Tozaj ka mohuar se është prezantuar si punonjës i Top Channel, duke deklaruar se ka qenë vetëm i ftuar në disa emisione. Për rastin e Korçës, ai ka pretenduar se problemi ka lindur për shkak të mungesës së kuponit tatimor dhe se pagesa është kryer pasi ka marrë faturën.

Poll