
Julian Meçe, ish-anëtar i bandës së Durrësit, ka dëshmuar sot në gjykatë lidhur me ngjarjet kriminale për të cilat ai akuzohet, konkretisht për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në 2005-ën.
Ai mohoi akuzat ndërsa tha se dëshmitarin Luftar Reçi nuk e ka njohur më parë. Ndërsa pranoi miqësinë me Lul Berishën dhe Plarent Dervishajn me të cilin u ekstradua njëkohësisht nga Dubai pasi ishin përfshirë në një sherr fizik me disa persona të tjerë.
Ndër të tjera rrëfeu edhe momentin kur Plarent Dervishaj mori vesh se ishte ndër të akuzuarit për 2 vrasjet dhe se kishte shfaqur indinjatë gjatë kohës që ishin në Dubai.
“Luftar Reçin as nuk e njoh dhe as nuk kam patur lidhje deri kur nisi ky proces. Nga viti 2004-2011 unë kam qenë duke vuajtur një dënim për trafikim narkotikësh në Itali. Lul Berishën e njoh, kemi pasur miqësi. Edhe me Lentin (Plaurent Dervishaj), njihem, kam miqësi, kemi qenë komshinj në Durrës. Kur ne kemi qenë në Dubai bashkë me Lentin, dhe u lëshuan masat e sigurimit, Plaurenti shprehu habi dhe u indinjua duke thënë se nuk kishte lidhje. Ai me tha se asgjë nuk e ka lidhur me Viktor Imerin e Emiljano Shullazin. Lenti shprehu indinjatë që Prokuroria nuk mori parasysh edhe prova të tjera që e shfajësojnë atë në lidhje me vrasjet”- mësohet të ketë thënë ai në dëshminë e tij.
Meçe dhe Dervishaj mbërritën në Shqipëri në muajin gusht në mënyrë të papritur pasi nuk kishte marrëveshje ekstradimi. Sipas informacioneve, mësohet se ata janë dëbuar nga autoritetet e Dubait pasi ishin përfshirë në një sherr fizik. Ndërsa Meçe ka deklaruar se kishte ardhur në Shqipëri për t’u përballur me akuzat që janë bërë në emër të tij. Dervishaj dhe Meçe akuzohen si porositës të atentatit të kryer ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe Rrumit të Shijakut në 2019-ën në Durrës ku mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku. Versus.al








