
Endri Meksi, biznesmen dhe njëherazi pronar i MCN TV, ka lënë ambientet e SPAK pas rreth gjashtë orësh qëndrimi në Prokurorinë e Posaçme.
Pas daljes nga godina e SPAK, Meksi foli shkurtimisht për mediat, duke bërë me dije se është marrë në pyetje lidhur me deklaratat e tij të fundit publike.
“U pyeta për shumë gjëra për këto që kam deklaruar së fundmi”, u shpreh ai.
Prej disa ditësh, Endri Meksi ka denoncuar publikisht se ka marrë kërcënime me jetë, ndërsa ka deklaruar se ndihet i rrezikuar dhe se për këtë çështje ka bërë kallëzim edhe pranë policisë.
Ngjarja ka marrë vëmendje edhe pas incidentit të ndodhur pak ditë më parë, kur një biznes i lidhur me MCN-së u bë objekt i një sulmi me lëndë shpërthyese. Ky episod është konsideruar si vijim i kërcënimeve të raportuara ndaj biznesmenit.
Deri më tani, SPAK nuk ka dhënë detaje zyrtare mbi përmbajtjen e dëshmisë së Meksit apo mbi hetimet që po zhvillohen lidhur me rastin.

