AKTUALITET /

Itali, pastronte në fermë, por ra nga lartësia, vdes pas katër ditësh në spital 60-vjeçari shqiptar! (EMRI)

Rudi Simaneta është viktima, një punonjës i një ferme lokale në zonën Cascina Americana, të vendosur në jug të qytetit, drejt Montebello della Battaglia

Shkruar nga Versus

Itali, pastronte në fermë, por ra nga lartësia, vdes pas

Një punëtor 60-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pas katër ditësh në gjendje kritike, si pasojë e një aksidenti në punë të ndodhur në Lungavilla të Pavia-s, Itali.

Mediat italiane shkruajnë se viktima, Rudi Simaneta, u rrëzua nga një lartësi rreth tre metra teksa po punonte në një magazinë bujqësore, pasi kishte hipur mbi krahët e një piruni ngritës për të kryer pastrime në lartësi.

Sipas raportimeve, ai humbi ekuilibrin dhe ra duke goditur rëndë kokën në tokë. Menjëherë pas ngjarjes, kolegët njoftuan shërbimet e emergjencës, të cilat e transportuan me helikopter në spitalin “San Matteo” në Pavia, ku u trajtua në reanimacion në gjendje shumë të rëndë.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 60-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë natës. Autoritetet italiane, përfshirë karabinierët dhe inspektorët e sigurisë në punë, kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të verifikuar respektimin e rregullave të sigurisë në vendin e punës.

Ndërkohë, sindikatat italiane kanë theksuar se ngjarje të tilla nuk mund të konsiderohen rastësi dhe kanë kërkuar masa më të forta për mbrojtjen e punëtorëve në vendin e punës./Versus.al

Poll