Gjykata e Posaçme ka dënuar me 23 vite burg dy të pandehurit e akuzuar për mashtrimin me ‘call centerave’ duke u marrë shtetasve të vendeve të ndryshme të BE, 15 milionë euro në total.
Jusel Mici u dënua me 12 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij përfundimtar zbret në 8 vite burg. Ndërsa bashkëpunëtori tjetër, Mendim Domi u dënua me 11 vite burg që i reduktohet në 7 vite e 4 muaj burg.
Gjykata e posaçme gjithashtu ka konfiskuar 14 pasuri në emër të dy të dënuarve të cilat rezultojnë se janë siguruar falë veprimtarisë së tyre kriminale.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 166, të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurve Jusel Mici dhe Mendim Domi”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj, me vendimin Nr. 42, datë 17.06.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Jusel Mici për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, në dëm të disa personave, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b/2 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Jusel Mici për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Jusel Mici për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Jusel Mici për kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, e parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim.
Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve të dhëna në një denim të vetëm me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.
Bazuar në nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i pandehuri Jusel Mici t’a vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Mendim Domi për kryerjen e veprës penale
“Mashtrimi kompjuterik”, në dëm të disa personave, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b/2 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Mendim Domi për kryerjen e veprës penale
“Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Mendim Domi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Mendim Domi për kryerjen e veprës penale
“Fshehja e të ardhurave”, e parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim.
Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve të dhëna në një denim të vetëm me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht me 7 (shtatë) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
Bazuar në nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarveme burgim dhe të paraburgosurve”, i pandehuri Mendim Domi t’a vuaj dënimin në burgun e sigurisë së lartë. Versus.al







