
Gjykata e Posaçme cakton datën 20 qershor për zhvillimin e seancës për ish presidentin e vendit Ilir Meta, i cili kërkon verifikimin e kushteve të masës dhe zëvëndësim të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Çela ka caktuar orën 11.30 për të shqyrtuar kërkesën e Ilir Metës, i cili mbahet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar.
Mbrojtja e Metës kërkon zëvendësim të masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë tjetër më të butë, pasi sipas tij në rastin “Meta” janë shkelur afatet duke kaluar 8 muaj dhe në asnjë rast nuk është paraqitur nga SPAK informacion dy mujor mbi çështjen. Gjithashtu, në argumenta janë parashtruar edhe disa vendime të GJEDNJ, si raste analoge mes të cilave edhe dosja “Gëllçi”.
Më 11 qershor, Metës iu ndalua aktiviteti sportiv me 10 ditë brenda burgut si "dënim" për shkak se dha një intervistë telefonike për mediat jashtë orarit të lejuar. Ai është shprehur i bindur se do t'i fitojë të gjitha çështjet në ngarkim të tij.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani bëri me dije për mediat se SPAK kishte zgjatur me 6 muaj hetimet për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar në mënyrë “të paprecedentë” pasi u zhvillua një aksion në mes të Tiranës për prangosjen e tij teksa kthehej nga një vizitë në Kosovë. Ndaj kreut të PL, rëndojnë akuzat e korrupsionit pasvi, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Për të njëjtat akuza po hetohet edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi. Versus.al







