AKTUALITET /

Zgjatet me 6 muaj afati i hetimeve për Ilir Metën, avokati: Absurditet! 7 muaj paraburgim pa prova, çështje politike

Zgjatën afatin e hetimeve për 6 muajsh për Ilir Metën

Shkruar nga Versus
Zgjatet me 6 muaj afati i hetimeve për Ilir Metën, avokati:
Kujtim Cakrani

SPAK ka vendosur të zgjasë me 6 muaj afatin e hetimeve ndaj ish-Presidentit Ilir Meta. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili e cilësoi paraburgimin e klientit të tij si të pajustifikueshëm dhe politikisht të motivuar.

“Kanë kaluar 6 vite dhe SPAK ende nuk ka mbledhur prova për të inkriminuar Presidentin e Republikës. Ai po mbahet në paraburgim për akuza që as nuk i janë bërë të qarta. Ky është një absurditet i madh,” – deklaroi avokati.

Sipas Cakranit, Ilir Metës i është komunikuar akuza, por hetimet nuk janë finalizuar ende. Ai shtoi se SPAK nuk ka tejkaluar afatet ligjore, por pyetja që ngrihet është pse vazhdon të mbahet në paraburgim.

“Meta është pro hetimit, nuk po i shmanget drejtësisë, por pse mbahet i izoluar? Ju e dini arsyen. Sepse çështja është politike. Kjo është e paprecedentë,”- tha ai.

Sipas tij, Prokuroria e Posaçme po zvarrit hetimet dhe ka dështuar të sjellë prova konkrete për lidhjen e Metës me akuzat. Ai theksoi se organi i akuzës po pret ende një akt ekspertimi të ish-vjehrrës së Metës, për të cilin shtroi pyetjen: “Ç’lidhje ka zoti Meta?”

“Janë bërë 6 vite hetime dhe ende nuk kanë mbledhur prova për të inkriminuar Presidentin. Meta është pro hetimit, por pse mbahet në paraburgim? Sepse çështja është politike. Ju e dini këtë. Kjo është një shkelje flagrante dhe e paprecedentë,” – përfundoi avokati.

Ai konfirmoi gjithashtu se gjatë javës së ardhshme do të dorëzojnë zyrtarisht kërkesën pranë Gjykatës Kushtetuese për masën e sigurisë ndaj Ilir Metës. 

Avokati i Ilir Metës përsëriti disa herë se jemi në autokraci. Në diskutime me gazetarët madje iu përgjigj duke thënë “Pyet autokratin”, duke iu referuar kryeministrit Rama. 

Deklarata e avokatit të Ilir Metës përpara SPAK: 

“Sot u thirrëm në SPAK për t’u informuar nga organi i akuzës mbi zgjatjen e afatit të hetimeve ndaj presidentit, z. Ilir Meta. Sot është data 9. Afati 1-vjeçar që ai është regjistruar si person nën hetim përfundon nesër, më 10 qershor. Duke qenë se ky afat po përfundon, prokurorët e SPAK kanë vendosur ta zgjatin hetimin me 6 muaj të tjerë, sipas procedurës ligjore.

Problemi qëndron se ata ende nuk kanë prova të mjaftueshme. Thonë se po presin disa prova të reja – për të cilat as ne nuk kemi dijeni se çfarë janë.

Dua të theksoj një fakt të rëndësishëm: kjo vepër penale për të cilën po akuzohet presidenti Meta është regjistruar në dhjetor të vitit 2019, vetëm një javë pasi z. Altin Dumani nisi detyrën si prokuror në SPAK. Që nga ajo kohë, kanë kaluar afro gjashtë vite, dhe SPAK ende nuk ka mbledhur prova për ta marrë atë në përgjegjësi penale.

Ndërkohë, z. Meta ndodhet në paraburgim, dhe kjo është një absurditet i jashtëzakonshëm, sidomos për akuza për të cilat ai nuk është sqaruar as sot e kësaj dite.

Pyetja është: pse mbahet në paraburgim presidenti i Republikës? Akuzat i janë komunikuar, dhe ne prisnim që sot të përfundonin hetimet, sepse afati 1-vjeçar i nisur në qershor 2024 përfundon nesër. Ne nuk jemi kundër hetimit – përkundrazi, e mbështesim hetimin. Presidenti Meta ka deklaruar qartë se do t’i nënshtrohet çdo procesi ligjor. Por mbajtja në paraburgim është e pajustifikuar.

Ju e dini shumë mirë pse mbahet – sepse çështja është politike. Dhe siç ndodh me çështjet politike, burgu bëhet pjesë e strategjisë. Mënyra se si u arrestua z. Meta e dini shumë mirë: ai u rrëmbye, dhe ky rrëmbim tregon më së miri se SPAK është kthyer në një prokurori politike.

Askush nuk na heq të drejtën për të kundërshtuar. Ne po flasim për atë që po ndodh sot me hetimet. Ajo që duhet t’u themi qytetarëve shqiptarë është se inkuizicioni ndaj presidentit të Republikës është i paprecedentë në Europën e sotme. Versus.al

Poll