
Hava Muka, gjyshja e Gledian Mukës, kamarierit të pafajshëm të vrarë gabimisht gjatë atentatit të ditës së djeshme në Memaliaj, ka dhënë këtë të hënë një deklaratë për media.
Gjyshja e pikëlluar nga humbja e nipit, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të kërkojë të drejtën e të ndjerit. Ajo tha se 36-vjeçari ishte një person shumë i rregullt dhe se kurrë nuk ishte përfshirë në veprimtari kriminale të mëparshme.
“Djalin e kemi patur flori e shkuar floririt. Nuk e prisnim që të vritej djali, Ai punonte atje kamarier për bukën e gojës. Përse ma vranë djalin, përse?! E kishte lënë punën dhe po rrinte atje se ishte vapë. Unë jam gjyshja, në këto kushte kërkojmë të drejtën e djalit, përse na i vranë. Çfarë bën shteti, i morën jetën djalit! Floriri i nënës! Duam drejtësi që na vranë djalin pa faj, duke punuar. Ishte i ndershëm dhe punëtor. Kishte një vit që punonte atje kamarier. Punonte aty për bukuri. Një djalë i mrekullueshëm. E kishim yll mezi e kemi rritur”, tha gjyshja.
Përveç Gledion Mukjas, ka mbetur i vrarë gabimisht dhe klienti Marsel Çela, xhaxhai i të cilit ka bërë sot një dalje në media për të folur për ngjarjen e trishtë.
Ai deklaroi se ishte vetëm 200 metra larg vendit të krimit, ndërkohë që nuk kishte informacion se nipi i tij ndodhej në Memaliaj, pasi kishte ardhur në fundjavë për të takuar prindërit.
“Marselin e dija që ishte në Vlorë. Vetëm dy muaj më parë erdhi nga Gjermania. Në fundjavë iku dy ditë në Memaliaj që të kalonte kohë më prindërit e t’i takonte.
Në orën 11 kishte dalë për kafe. Në orën 11:30 ndodhi ngjarja. Isha 200 metra larg vendngjarjes, nuk e dija as që kishte ardhur në Memaliaj nipi. Biseda ime e fundit ishte në datën 14 korrik. Ishim në Vlorë dhe më tha nëse do të dilnim për kafe”, tha ai.
Kujtojmë se si pasojë e këtij atentati tragjik ka mbetur viktimë edhe objektivi Shyqyri Kalemi, ndërkohë që ka shpëtuar i plagosur, vëllai i tij Artur Kalemi./ Versus.al








