Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha ka folur lidhur me ndotjen dhe katastrofën mjedisore të shkaktuar nga tymi i madh që përfshiu qytetin si pasojë e flakëve në fushën e mbetjeve.
Dredha tha se situata po vihet nën kontroll, ndërsa tha se flakët janë riaktivizuar rreth orëve të para të mëngjesit dhe janë përhapur për shkak të erës së fortë.
“Siç e shikoni, këtu ka filluar zjarri që mbrëmë rreth orës nëntë. Rreth orës 11 e gjysmë u vendos nën kontroll, por për shkak të kushteve atmosferike ka pasur një erë të fortë. Ka filluar sërish zjarri rreth orës 3 ose 4 të mëngjesit. Të gjithë jemi në terren”- u shpreh Dredha.
Më tej kryebashkiaku premtoi se mbetjet do të hiqen nga vendi ku ndodhen dhe do të bëhet një ekopark duke shtuar se të njëjtat masa do të merren edhe për landfillin në Orikum.
“Këto mbetje nga këtu nuk do të largohen fillimisht do të mbulohen me dhe dhe më pas do të nisë projekti me KFË që është kapsulimi. Do të bëhet ecopark. Kjo është faza e dytë. Fillimisht do të vëmë në punë Sherishtën dhe brenda kësaj jave, fundi i kësaj jave nisim me hedhjen e mbetjeve në landfildin e Sherishtës.
Do të merren masa dhe për landfildin këtu dhe atë në Orikum. Sezoni që do të vijë nuk do të na gjejë më as në Orikum e as këtu të jenë të përdorshme”- deklaroi kryebashkiaku.
Situata me zjarrin në fushën e mbetjeve, është e përsëritur tashmë në Vlorë duke shkaktuar ndotje të madhe dhe dëmtim të shëndetit të banorëve e turistëve që vizitojnë zonën. Versus.al








