Mirditë- Kompania turke ‘TETE Albania’, ka reaguar në lidhje me protestën e zhvilluar prej 13 ditësh nga një grup minatorësh të cilët kanë hyrë edhe në grevë urie duke kërkuar rritje pagash dhe kushte më të mira pune për shkak se rrezikojnë jetën çdo ditë nën tokë.
Sipas kompanisë, protesta e zhvilluar nga punonjësit është e paligjshme dhe jashtë procedurave të parashikuara nga Kodi i Punës. Duke u kërkuar të kthehen menjëherë në punë, kompania thekson se ndërprerja e procesit të punës ka shkaktuar dëme të ndjeshme ekonomike për të.
“U bëjmë thirrje 43 punonjësve, kontratat e të cilëve janë ende në fuqi, që të rikthehen menjëherë në vendet e tyre të punës. Ndërprerja e punës ka shkaktuar dëme të ndjeshme ekonomike që përbëjnë një ‘sulm ekonomik’ ndaj stabilitetit të kompanisë” thuhet në deklaratë.
Një tjetër kërkesë e punonjësve ishte krijimi i një sindikate për të drejtat e tyre. Kësaj kërkese kompania i është përgjigjur duke thënë se është e drejtë e tyre dhe se nuk do të pengohen për një gjë të tillë.
Tre ditë më parë, punonjësit pretenduan se 10 prej tyre ishin pushuar nga puna si hakmarrje e kompanisë për protestat lidhur me rritjen e rrogës dhe përmirësimin e kushteve të punës. Versus.al







