Presidenti Nicolas Maduro, ka fajësuar mafian shqiptare në Ekuador me një plan për të “sabotuar” zgjedhjet rajonale dhe legjislative të së dielës së ardhshme në Venezuelë, raportojnë mediat e Amerikës Jugore.
“Tani janë ndaluar 38 mercenarë të rinj. Mafia shqiptare që sundon Ekuadorin dërgoi disa nga mercenarët e saj të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë. Ne i kemi kapur ata. Tre nga telefonat e tyre u sekuestruan”, tha ai në një takim me komandën e lartë ushtarake të transmetuar në Televizionin Shtetëror Venezuelian (VTV).
Maduro tregoi se mafia shqiptare dërgoi mercenarë të dyshuar në Venezuelë pas vizitës në prill në Ekuador të biznesmenit dhe ish-oficerit ushtarak amerikan Erik Prince, themeluesit të kompanisë private Blackwater, tani të quajtur Academi, i cili i ofroi administratës së Daniel Noboas mundësinë për të ofruar trajnime sigurie për policinë dhe forcat e armatosura.
“Nëse Erik Prince është atje, perandoria amerikane është atje”, tha presidenti venezuelian.
Maduro tha se përballë atyre që duan “dhunë, sabotim, shpërthime dhe plumba“, votimi duhet të mbahet të dielën e ardhshme për “paqe, stabilitet dhe si shembull të sovranitetit kombëtar kundër mafies së drogës ekuadoriane, shqiptare, kolumbiane dhe imperialiste”.







