AKTUALITET /

Makina luksoze pa të ardhura të deklaruara, drejtoresha e Tatimeve tregon si do të skanohet pasuria për 400 individët e parë

Sipas Rozana Çelmetës, drejtuese e proceseve të biznesit në AT, verifikimi do të bazohet në krahasimin e të ardhurave të deklaruara me vlerën e pasurive në pronësi, si dhe dokumentacionin që justifikon burimin financiar të tyre.

Shkruar nga Versus
Makina luksoze pa të ardhura të deklaruara, drejtoresha e Tatimeve
Rozana Çelmeta, drejtuesja e proceseve të biznesit ne AT

Administrata Tatimore ka nisur një proces hetimi pasuror ndaj 400 individëve që zotërojnë automjete luksoze të blera gjatë viteve 2023–2024, por që nuk kanë deklaruar të ardhurat vjetore pranë institucioneve tatimore.

Sipas Rozana Çelmetës, drejtuese e proceseve të biznesit në AT, verifikimi do të bazohet në krahasimin e të ardhurave të deklaruara me vlerën e pasurive në pronësi, si dhe dokumentacionin që justifikon burimin financiar të tyre.

Ajo theksoi se ky është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë kontrolli dhe ndërgjegjësimi, që do të zgjerohet në bazë të analizës së riskut dhe informacionit të kryqëzuar nga palë të treta.

Individët që nuk justifikojnë dot burimin e pasurisë do të përballen me tatime të papaguara, penalitete dhe masa të tjera ligjore.

Në një intervistë për Vizon Plus, ajo është shprehur se ky është vetëm fillimi i procesit dhe Administrata Tatimore po ndalet tek informimi dhe ndërgjegjësimi.

“Më pas do të bazohemi në analizën e riskut, kryqëzimin e informacionit nga palët e treta, vlerësimin e deklarimeve etj. Fillimisht kemi konstatuar 400 drejtues mjete luksi, që nuk kanë asnjë marrëdhënie me tatimet, të cilët do të kalojnë në një sitë më të detajuar”, ka thënë Rozana Çelmeta.

Por a është hetimi i pasurisë për 400 poseduesit e mjeteve të luksit fillimi i hetimit të pasurisë për shqiptarët në tërësi që nuk justifikojnë pasurinë?

“Nëse rezultojnë se janë të ardhura të justifikuara dhe të tatuara më parë, atëherë mjafton vetëm të deklarojnë. Nëse të ardhurat janë të patatuara do të duhet të paguajnë tatimin përkatës. Më pas do të vijohet më tej me hapat e tjerë që lidhen me investigimin, kontrollin dhe masat e tjera vijuese në zbatim të ligjit.

Sa i takon hetimit të pasurisë, këtu përfshihen dhe instanca të tjera ligjzbatuese. Ky verifikim do të shtrihet edhe në individë të tjerë që rezultojnë me risk bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon”, ka sqaruar Rozana Çelmeta, drejtuesja e proceseve të biznesit në Administratën Tatimore.

AT kërkon nga pronarët faktikë të makinave luksoze që të deklarojnë burimin e blerjes së këtyre mjeteve dhe të mos ndërrojnë pronësinë për të shmangur detyrimet, sepse do të ketë penalitete deri në bllokim të mjetit dhe vjelje të të ardhurave me forcë.

Institucioni u sugjeron individëve të deklarojnë të ardhurat e përdorura për blerjen e këtyre mjeteve në mënyrë që të shmangin penalitetet. Të gjithë këtë individë do të përfshihen në procesin e verifikimit nëpërmjet analizës së:

-Të ardhurave të deklaruara pranë AT;

-Përputhshmërisë së tyre me vlerën e pasurive të zotëruara;

-Dokumentacionit justifikues të burimit financiar.

Poll