Katerina Nakoleci, vajza e madhe e Mariola dhe Pandeli Nakolecit, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, pas vrasjes tragjike të nënës së saj. Mariola, 36 vjeçe, u vra me thikë nga bashkëshorti i saj në sy të katër fëmijëve të çiftit, në qytetin Volos të Greqisë.
Në postimin e saj të ndjerë, Katerina shkruan:
“Ike, mami im… Do të më mungosh shumë. E di që do të na shohësh nga lart, por Dinos, unë dhe Asimina të duam shumë. Je përgjithmonë në jetën tonë.”
Fjalët e saj pasqyrojnë dhimbjen e thellë të një fëmije që ka humbur nënën në mënyrën më të dhimbshme të mundshme.
Autori i krimit, Pandeli Nakoleci, 40 vjeç, është ende në arrati. Policia greke ka nisur një operacion të gjerë për ta lokalizuar, por deri më tani pa rezultat.
Mediat greke raportojnë se, duke marrë parasysh historikun e tij mendor, përfshirë një tentativë vetëvrasjeje në qershor 2025 dhe shtrim në një spital psikiatrik, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ai të ketë marrë jetën vetes pas krimit.
Pavarësisht raportimeve për konflikte dhe zënka të shpeshta në familje, nuk ka pasur kurrë një kallëzim zyrtar për dhunë në familje.
Të katër fëmijët e mitur aktualisht ndodhen nën kujdesin e të afërmve, ndërsa hetimet për ngjarjen e rëndë vazhdojnë. /Versus.al/






