Gjykata e Posaçme ka dhënë dënimet për grupin e kryesuar nga Bruno Çobo që kreu mashtrime me call center të cilat kapnin shifrat deri në 4.7 milionë euro. Çobo u ekstradua pak kohë më parë nga Dubai pasi akuzohej si kreu i grupit me 15 të pandehur, Elisa Çaçi (Caci), Gilbert Palushani, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Rezarta Ibrahimi (Çaçi), Valbona Abedinaj, Erion Kastrati, Orland Cani, Florjan Bregu, Hamit Dobi, Greta Gjoci (Pepa), Gjin Shelnishta, Antoneta Malo (Pepkolaj), Silvana Veliu dhe Mojsi Zuna.
Kujtojmë se më herët, Bruno Çobo kishte deklaruar se ai vetë kishte ardhur në Shqipëri me vullnetin e tij dhe se nuk e kishte ekstraduar shteti shqiptar siç pretendohej asokohe kur ministër i Brendshëm ishte Taulant Balla.
Ndaj tyre u zhvillua proces me gjykim të shkurtuar dhe të gjithë përfituan uljen e 1/3-ës së dënimit. Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët e posaçëm, Flojera Davidhi, Irena Gjoka dhe Erjon Bani.
Në përfundim të procesit, gjykata vendosi dënime që variojnë nga 6 vite e 8 muaj deri në 8 vite burgim, pasi të gjitha dënimet përfundimtare u reduktuan me një të tretën për shkak të procedurës së shkurtuar.
Më i dënuari në këtë proces rezulton Bruno Çobo, i cili u shpall fajtor për “Mashtrim kompjuterik” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe “Grup të strukturuar kriminal”, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite burg. Elisa Çaçi (Caci) dhe Gilbert Palushani u dënuan secili me 7 vite e 4 muaj burg, ndërsa Aldo Pasku, Bruno Gjika, Rezarta Ibrahimi (Çaçi), Valbona Abedinaj, Erion Kastrati, Orland Cani, Florjan Bregu, Hamit Dobi, Greta Gjoci (Pepa), Gjin Shelnishta, Antoneta Malo (Pepkolaj), Silvana Veliu dhe Mojsi Zuna morën dënime nga 6 vite e 8 muaj deri në 7 vite e 4 muaj burgim, në varësi të rolit dhe pjesëmarrjes në veprimtarinë kriminale.
Sipas vendimit, të gjithë të pandehurit rezultojnë të kenë qenë pjesë e një skeme të gjerë mashtrimi përmes përdorimit të mjeteve kompjuterike, duke dëmtuar një numër të konsiderueshëm qytetarësh. Gjykata vendosi që dënimet të vuhen në burgje të sigurisë së lartë, duke llogaritur kohën e vuajtur nën masat e sigurimit “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”. Versus.al
